Telegrafi

Kosova po hyn në krizë të thellë ekonomike

Ish-FER-istat Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu kanë thënë se KASH-i është larg profesionales pasi tanimë mjetet e FMN-së nuk janë. “E vërteta është që deficiti buxhetor nuk do të financohet nga kreditë e buta të FMN-së ashtu siç paraqitet në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe në buxhetin e Republikës së Kosovës, por i lihet lexuesit të supozojë që ky deficit do financohet nga akshampazaret e shitjes së PTK-së si dhe rezervat shtetërore. Nëse ky është skenari, atëherë Kosova rrezikon të përfundojë vitin me vetëm 20 milionë euro bilanc bankar, aq sa është pasuria edhe e deklaruar e disa prej qeveritarëve”.

Sipas, Shpend Ahmetit e Dardan Sejdiut ky fakt bëhet edhe më tronditës kur shihet se në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve është paraqitur deficit edhe në vitet në vijim. Ata thanë se rezervat do të jenë në fund të vitit vetëm 20 milionë euro, ndërsa nuk do të ketë më asete për të shitur, pasi kjo qeveri mëton t’i shes të gjitha sivjet, ndërkaq do të arrihet në një situatë ku nuk do të jenë në gjendje t’i financojnë këto deficite.

“Sivjet, duke patur parasysh shpenzimet e mëdha kapitale nga vitet e kaluara që tanimë duhet t’i paguajmë, fatura e të cilave do vazhdojë të na vijë deri në përfundim të këtyre projekteve, së bashku me prishjen e marrëveshjes me FMN-në, janë indikator të qartë që paga retroaktive nuk do të këtë, e lëre më investime tjera të nevojshme në shëndetësi, arsim, dhe fusha tjera”.

Ata kanë kritikuar edhe planin e zhvillimit ekonomik, të hartuar në Bullgari. “Ky koncept ekonomik bazohet kryekëput në shitje të aseteve, importe, konsum dhe kështu bazohet doemos në aftësinë tonë për të mbledhur taksa doganore e jo për të rritur prodhimin dhe sektorin privat, e që do sjell deri tek inkasimi i të hyrave vendore që është e domosdoshme në financimin e qëndrueshëm të buxhetit”. /Telegrafi/