Përfaqësuesja e Kosovës në futboll mund të luajë miqësore me Madagaskarin.
Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës janë duke shqyrtuar mundësinë që gjatë muajit mars të luajnë miqësore me Kombëtaren e Madagaskarit, e cila njohu Kosovën si shtet të pavarur gjatë vitit 2017.
Lajmin se Kosova mund të luaj miqësore me këtë shtet për IndeksOnline e ka konfirmuar edhe presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri.
“Po jemi në bisedime me këtë federatë”, ka thënë shkurt Vokrri, i cili gjendet në Turqi.
Disa nga futbollistët cilësor që i ka kjo Kombëtare janë: Melvin Adrien (portier i skuadrës franceze Amines), Jerome Mombris (mbrojtësi i Ajaccios), Rinjala Raherinaivo (mesfushor i Sionit) dhe Faneva Andriatsima (sulmues i Soxhaux).
Kosova kishte aranzhuar një miqësore me Azerbajxhanin për muajin shkurt, por me kërkesën e azerëve ndeshja është anuluar, pasi Kosova ka rënë në të njëjtin grup me të.
Madagaskari është e 109-ta në renditjen e FIFA-s, shumë vende mbi Kosovën që renditet aktualisht në vendin 178.