Hendbollistët e Përfaqësueses së Kosovës kanë pësuar humbje në ndeshjen e parë ndaj Sllovakisë me rezultat 32:22 në kuadër të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2025.
Sllovakët ishin më të mirë se Kosova gjatë gjithë takimit dhe epërsia e krijuar në ndeshjen e parë prej dhjetë golave, me një këmbë i kualifikon në fazën tjetër.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy përfaqësueseve do të zhvillohet të dielën në Prishtinë dhe Kosova do ta ketë një mision të vështirë për ta eliminuar Sllovakinë në fazën e parë.
Më efikasi te Sllovakia ishte Jakub Prokop me 7 gola të shënuara, i ndjekur nga Tomas Smetanka me 6 dhe Juraj Briatka me 5 sosh.
Në anën tjetër, te Kosova u veçuan Kushtrim Ninaj e Egzon Gjuka që shënuan nga 6 gola secili. Kastriot Jupa pati tri gola prej po aq tentimeve.
Kosova në këtë ndeshje ishte pa katër hendbollistë kryesorë, pasi Dren dhe Drilon Tahirukaj nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës, ndërsa Bujar Ramosaj e Valon Dedaj nuk kanë mundur të grumbullohen.
Dy të fundit pritet të jenë pjesë e Kosovës për duelin e së dielës që nis në orën 17:00. /Telegrafi/