Një sukses tjetër i jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare nga UBT dhe Kosova u shënua edhe këtë herë, kësaj radhe në kampionatin botëror të Microsoft Office Specialist (MOS) 2021.
Në garën që Kosova përmes UBT-së për herë të parë mori pjesë si shtet, Elta Bajrami nga ekipi i Kosovës nën mentorimin e profesorit të UBT-së, Besnik Skenderi, është renditur në dhjetëshen e parë të kampionatit botëror Microsoft Office Specialist (MOS) 2021, duke zënë kështu vendin e gjashtë.
Pjesë e ekipit kosovar ishin edhe Elita Hajrizi dhe Vlera Saraqi, që përveç garës Microsoft Office Specialist (MOS) 2021, përfaqësuan Kosovën denjësisht edhe në garën e robotikës FIRST Global Challenge.
Kosova në garën Microsoft Office Specialist (MOS) 2021, që këtë vit është mbajtur në formën online, nga më shumë se 200 mijë garues nga 108 vende, ka arritur të triumfoi në shkathtësitë e përfaqësuesve nga Kosova në Microsoft Word, Excel dhe PowerPoint, në konkursin më të njohur të aftësive teknologjike të Microsoft Office.
UBT përgjatë dy viteve ka sjellur, organizuar dhe financuar këtë garë në Kosovë, në nivel shtetëror, nga ku edhe janë përzgjedhur tre finalistët për të përfaqësuar Kosovën këtë vit në këtë garë. /Telegrafi/