Telegrafi

Kosova, perlë e fshehur e inovacionit?

Me një moshë mesatare rreth 25 vjet, penetrim të madh të internetit në gjithë vendin dhe me një strategji te mirëfilltë arsimore, ndërmarrëse e qeveritare, Kosova mund të bëhet një destinacion rajonal e global për ofrim te shërbimeve inovative.

Kështu u tha të hënën mbrëma në emisionin “Ekonomia me Erezen” të Klan Kosovës. Fusha e teknologjisë së informacionit mund të shfrytëzohet për zhvillim ekonomik, ndërsa për këtë Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka filluar me një strategji. Sipas ministrit Blerand Stavileci, në këtë drejtim kontribut të madh kanë dhënë donatorët e huaj.

“Teknologjia e informacionit mund ta gjej veten tek tregtia, shëndetësia, arsimi dhe në të gjithë sektorët tjerë. Pra ne do të shfrytëzojmë këtë për të pasur një sistem më të mirë dhe për të koordinuar resurset tona. Kjo ide ka filluar më herët, dhe të them të drejtën është jetësuar me ndihmën e donatorëve, dhe kur ua kemi prezantuar idenë se ky sektor do të jetë prioritet, e kanë pritur jashtëzakonisht mirë”.Më tej Stavileci ka thënë se ministria që ai drejton do të bëjë më shumë se vetëm një strategji, sipas tij, muaji i ardhshëm do të emërohet si “Muaji i Teknologjisë”, ndërsa për sektorin e IT-së do të ndahet edhe një fond i veçantë.

Kurse Shkumbin Brestovci, përfaqësues  i Shoqatës së  Teknologjisë  Informative (STIKK), njëherësh edhe themelues i kompanisë  “Rrota”, e cila ofron shërbime në  këtë  fushë, ka folur për problemet që përballet tregu kosovar më së shumti në fushën e teknologjisë informative. “Sistemi i arsimit tek ne, por edhe në Ballkan në përgjithësi është shumë akademik dhe jo praktik, si në këtë sektor por edhe të tjerë, diplomon por nuk je i aftë për punë. Ky është problemi më i mardh tash për tash, prandaj, do të ishte mirë që nga ministria të organizohen trajnime gjatë mujore në mënyrë q ëata që dëshirojnë të punojnë në sektorin e teknologjisë, të jenë më produktiv” ka thënë Brestovci.

Safet Rama  përfaqësues nga Qendra Inovative e Kosovës (ICK¬), organizatë kjo që ndihmon dhe përkrah ata që dëshirojnë të nisin një biznes të ri, ka thënë se nuk mungon interesimi për të filluar një biznes të ri nga të rinjtë e të rejat tona, por mungon përkrahja institucionale.

“Ka shumë të interesuar për inkubatorë, por problemi që shfaqet pastaj është se krejt këta të rnijë nuk dinë se si të zhvillojnë idenë e tyre fillestare, për këtë ne jemi aty për t’i ndihmuar. Procesi ynë nuk ndalet këtu, ne vazhdojmë me i përkrah dhe me i lidhë me biznese të huaja jashtë vendit” ka thënë Rama. Ai më tej ka treguar se si disa biznese krejt të vogla me ide fillestare, sot eksportojnë shërbime të tyre në fushën e teknologjisë jashtë vendit. “Kemi disa raste të bizneseve të cilat kanë arritur të ofrojnë shërbime edhe në shtet e huaja. “ZagApps” dhe “Apps X”, këto dy kompani kanë filluar me një ide për programe të telefonave, në fillim si ide të vogël, por që sot eksportojnë shërbime në vende të huaja” ka shtuar Rama

Si vende me rrethana të ngjashme me ato të Kosovës, të cilat më së miri kanë shfrytëzuar sektorin e teknologjisë informative për zhvillim ekonomik, njihen Estonia dhe Gjeorgjia këto vende edhe pse të dalura nga një tranzicion fokusin e tyre e vendosën tek Teknologjia Informative. E kjo ju rezultojë duke gjeneruar vende të reja punë dhe duke rritur transparencën ndërinstitucionale. Një fat të ngjashëm mund ta merr edhe Kosova në rast se do të zhvilloj sektorin e teknologjisë informative, do të ketë fokus në inovacion, kështu u tha gjatë debatit, ndërsa këto zhvillime mund të pritën pas përkrahjes institucionale. /Telegrafi/