Telegrafi

Kosova përgënjeshtron Serbinë lidhur me mos-anëtarësimin në IOTA, Rafuna shpjegon se si bëhet anëtarësimi në këtë organizatë

Ministri serb i Financave, Sinisha Mali, sot ka thënë se Serbia kishte arritur të parandalojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Evropiane të Administratave Tatimore (IOTA).

Por këtë lajm e ka përgënjeshtruar këshilltari i ministrit të Financave, Lulzim Rafuna.

Rafuna në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kosova nuk ka aplikuar që të anëtarësohet në këtë organizatë.

“Kjo është një gënjeshtër e radhës nga Serbia, nuk është e vërtetë. Kjo organizatë në statusin e saj, në nenin e gjashtë e ka të specifikuar se anëtarësimi është i mundur vetëm nga shtetet anëtare të OKB-së. Në rend të ditës ka qenë modifikimi i këtij neni me qëllim që të bëhet anëtarësimi dhe për vendet tjera dhe kjo pikë nuk ka kaluar. Pas kësaj, atëherë Kosova nuk ka aplikuar më tutje që të anëtarësohet”, tha Rafuna.

Lexo po ashtu Serbia thotë se ka penguar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Evropiane për Administrata Tatimore

Kuvendi i Përgjithshëm i IOTA-së u mbajt nga data 1 deri më 5 korrik në Bruksel.

IOTA është një organizate që ofron mbështetje dhe asistencë për shtetet anëtare, për të përparuar në fushën e administrimit të taksave. /Telegrafi/