Telegrafi

Kosova përfundoi stërvitjen e fundit para udhëtimit në Cyrih

Përfaqësuesja e Kosovës e ka zhvilluar sot (e diel) stërvitjen e fundit para udhëtimit në Cyrih, ku të martën do ta zhvillojë miqësoren e radhës kundër Zvicrës.

Dardanët do ta luajnë miqësoren e dytë të këtij muaji ndaj Zvicrës, më 29 mars nga ora 18:00 në ‘Stadion Letzigrund’ në Cyrih.

Ekipi i përzgjedhësit Alain Giresse tashmë ka kryer të gjitha përgatitjet, pasi gjatë ditës së sotme ka përfunduar stërvitjen e fundit para udhëtimit.

Edhe në stërvitjen e sotme, futbollistët kanë stërvitur me përkushtim dhe me intensitet të plotë, teksa përzgjedhësi Giresse ka punuar në disa aspekte tekniko-taktike, duke përfshirë edhe skema të ndryshme nga ndërprerjet.

Të gjithë futbollistët u panë në formë të mirë dhe e presin me padurim përballjen me zviceranët, duke pasur parasysh edhe faktin se në stadium do të kenë përkrahje të madhe nga bashkatdhetarët tanë atje.

Ndryshe, miqësorja e parë e këtij muaji e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, u mbyll me fitoren e Kosovës ndaj Burkina Fasos me rezultat 5-0. /Telegrafi/