Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj takoi ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanović, ndërkaq tha se Kosova përfiton shumë nga përvoja kroate në procesin e integrimit evropian.
Ajo tha se Kroacia ka qenë dhe vazhdon të jetë një model shembull për Kosovën drejt integrimit të suksesshëm në Bashkimin Evropian.
“Poashtu, Kroacia në vazhdimësi ka përkrahur Kosovën në këtë proces, dhe me këtë rast Ministrja Ahmetaj e falënderoi Ambasadoren Kapitanović për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën, në veçanti në procesin e integrimit evropian”, tha Ahmeti.
Në këtë takim, më në detaje u diskutua për avancimin rreth zbatueshmërisë së Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) pasi që Kroacia ka qenë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor tek i cili u aplikua instrumenti i MSA-së dhe si janë menaxhuar sfidat në këtë proces. Natyrisht Kosova ka nevojë për përvojën dhe ekspertizën kroate në zbatimin e MSA-së për të shërbyer si udhërrëfyes gjatë këtij procesi.
Në vazhdim u diksutua edhe për gjendjen aktuale me Agjendën Evropiane të Reformave, konsultimet me akterët kyç për përcaktimin e Kosovës për Programet e BE-së dhe gjendjen aktuale rreth procesit të Liberalizimit të Vizave për Kosovën.
Me këtë rast Ministrja Ahmetaj potencoi rëndësinë e ndërlidhjes së drejtpërdrejtë me homologët kroat të zyrtarëve institucional të Kosovës në mënyrë që edhe komunikimi dhe shkëmbimi të jetë i strukturuar dhe konkret.
Nga ana e sajë, ambasadorja Kapitanović ritheksoi gatishmërinë e Kroacisë për të zgjeruar bashkëpunimin rreth agjendës evropiane, rrjedhimisht në kuadër të zbatimit të MSA-së. /Telegrafi/