Site icon Telegrafi

Kosova për herë të parë do të hartojë protokollin shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale

Foto: Ilustrim

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se Kosova do të hartojë protokollin shtetëror për trajtimin e dhunimeve seksuale.

Sipas njoftimit për media thuhet se qëllimi i Protokollit Shtetëror të rasteve të dhunës seksuale është adresimi dhe krijimi i përgjegjësisë institucionale përmes qasjes shumë-sektoriale të koordinuar, është të sigurojë mbrojtjen, referimin, rehabilitimin dhe ri-integrimin e rasteve të dhunës seksuale përmes ndërhyrjeve të menjëhershme e të standardizuara të institucioneve përgjegjëse.

“Kjo do të realizohet në përputhje me detyrimet dhe rolin e tyre, të përshkruar në legjislacionin në fuqi për trajtimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, përfshirë legjislacionin që fokusohet specifikisht tek dhuna seksuale edhe jashtë marrëdhënieve familjare, si dhe në të gjithë dokumentet e miratuara në funksion të zbatimit të këtij legjislacioni”, thuhet në njoftim.

MD ka theksuar se pjesë e rëndësishme e kuadrit ligjor në Kosove janë edhe të gjitha dokumentet ndërkombëtarë të ratifikuar, prandaj në këtë këndvështrim, brenda bazës ligjore kemi parasysh ndër të tjera edhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e të Gjitha Formave të diskriminimit ndaj Grave (Konventa CEDAË) apo Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit), të cilat theksojnë rëndësinë e trajtimit të të gjitha formave të dhunës ndaj grave.

Qëllimi i këtij Protokolli është:

-Të mbrojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, duke garantuar ofrimin e një pakete të plotë të shërbimeve me në qendër viktimën si dhe të ndjeshme ndaj moshës dhe gjinisë;

-Të sigurojë një tërësi procedurash standarde të veprimeve të ndjeshme ndaj moshës dhe gjinisë, veprime këto që duhet të ndërmerren për të siguruar këtë përgjigje të plotë ndaj të rriturave/rriturve apo të miturave/miturve të dhunuar seksualisht në familje apo jashtë saj;

-Të forcojë dhe qartësojë rolet dhe përgjegjësitë ndërmjet ofruesve të shërbimeve dhe tërësisë së institucioneve dhe Mekanizmave të Koordinuar të Referimit, duke rritur kështu llogaridhënien dhe besueshmërinë ndaj tyre.

“Përmes miratimit të këtij protokolli, secili institucion në nivel vendor pranon të përdorë këtë informacion për të forcuar praktikat, politikat dhe procedurat e tyre. Pajtueshmëria me këtë protokoll mund të kërkojë ndryshime dhe secili institucion përgjegjës bie dakord të investojë kohën dhe burimet e duhura për të siguruar ndryshimin”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version