Telegrafi

Kosova me paraqitje solide, por megjithatë mposhtet nga  Italia

Kosova U17 në hendboll (vajzat) e ka luajtur të shtunën ndeshjen e parë për plasman në Kampionatin Evropian (B). Në Ankara të Turqisë, vajzat tona u mposhtën nga Italia me rezultat 29:24.

Italia ka shfaqur ndeshje të mira në grupin A. I kishte tri fitore e një humbje, njëjtë si Turqia e Austria që kaluan në gjysmëfinale. Pra është Kombëtare cilësore.

Ndaj saj vajzat tona luajtën ndeshje të mirë, sidomos në pjesën e parë. Kombëtarja jonë ishte kryesisht në epërsi, që shkoi deri në tri gola (9:6).

Pjesa e parë përfundoi 12:11 për Italinë që realizoi gol në sekondat e fundit.  Edhe në pjesën e dytë vajzat tona ishin në lojë për një kohë, ndërsa Italia bëri shkëputje prej disa golave në dhjetë minutat e fundit të takimit. Ka kushtuar humbja e disa gjuajtjeve nga pozita të mira e po ashtu disa lëshime në mbrojtje.

Të dielen kombëtarja jonë e luan ndeshjen përfundimtare, atë për vendin e shtatë. Synohet mbyllje e suksesshme e Evropianit.