Prania e Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ngjarje, ku shihej edhe një pllakat e varrit ku nderohen ushtarët serbë të rënë në vitet 1912-18, po nxitë kritika të reja. Të moshuar e historian thonë se ushtria serbe në vitet 1912-13 vrau e masakroi mbi 25 mijë shqiptarë në Kosovë ndërsa rreth 40 mijë shqiptarë me zonat përreth. Përkundër kësaj në asnjë shesh apo rrugë të Kosovës nuk është vendosur ndonjë pllakat apo memorial që kujton viktimat shqiptare e krimet e ushtrisë serbe.
Ministria e Mbrojtjes u arsyetua se organizimi është bërë nga ambasada franceze, ndërsa pllakata përkujtimore për serbët ka rastisur të jetë aty.
Periudha për të cilën po fletë kjo pllakatë ka qenë e errët për shqiptarët e Kosovës. Ajo përkon me dy luftërat ballkanike, periudhë që nuk ka zënë shumë vend në librat e historisë.
“Krimet që i kanë bërë ushtria serbe gjatë vitit 1912 që ishte kohë e vjeshtës dhe e dimrit mandej. Tregojnë që shumë kanë vdek nga uria edhe duke i vrarë edhe rrugës për të ngritë tmerrin, për t’i dëbuar shqiptarët nga trojet e veta”, ka thënë pensionisti Bajram Maloku.
Maloku tash 74 vjeçar ka treguar se rrëfimet e të moshuarve për krimet që kryen serbët, i kujton sikurse sot.
“Fshatrat i kanë pastruar, i kanë pastruar edhe më vonë e kanë bërë kolonizimin e atyre fshatrave me familje serbe të sjella nga Mali i Zi, Serbia, Dalmacia. Fshatrat shqiptare, popullata pothuajse u përgjysmua, çka u vranë, çka u dëbuan për Turqi edhe gati ishte pastrimi etnik”, ka shtuar Maloku.
Vjeshta e 1912-13 edhe nga personalitet të huaja është dëshmuar si periudhë kur serbët kryen kasaphane në Kosovë.
“Vetëm në Vilajetin e atëhershëm të Kosovës janë vrarë dhe masakruar diku rreth 25 mijë njerëz, ndërkohë që përfshirë edhe vrasjet e bëra nëpër një pjesë të Shqipërisë së veriut dhe të mesme arrijnë diku në 40 mijë”, ka thënë Durim Abdullahu, profesor i historisë.
Prishtina e vetmja që i rezistoi pushkës së serbëve sipas historanit Abdullahu e pësoi në civilë të pambrojtur.
“Pas shuarjes së kësaj rezistence që është bërë nga trupat e Isa Boletinit në fshatrat përreth Prishtinës, janë vrarë janë bajonetu (vrasje me thikë të vendosur në armë) diku mbi 5.000 burra”, ka shtuar Abdullahu.
Për memorialet që përkujtojnë historia të këqija për Kosovën, Abdullahu ka thënë se duhet të ndiqet praktika e vendeve të Evropës Lindore, dikur republika sovjektike.
” Të mbledhë le të themi memorialet përmendoret e periudhës së Jugosllavisë dhe të ndërtoj një park memorial ku të gjitha ato futen së bashku. Sepse megjithatë ato kanë një vlerë historike, por të mos lihen le të themi nëpër sheshet publike të qyteteve të Kosovës”, ka theksuar ndër tjera profesor Abdullahu.
Profesori universitar ka përfunduar se përpos që nuk ka momoriale për këtë periudhë ka munguar edhe vëmendja e studieusve./RTV Dukagjini/