Banka Qendrore e Kosovës po toleron konflikt të interesit tek Kompanitë e Sigurimit, të cilat vetë bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe vetë ofertën për klientët e dëmtuar.
Departamentet e dëmeve që aktualisht funksionojnë në kuadër të Kompanive të Sigurimit duhet të shuhen. “Banka Qendrore e Kosovës duhet të intervenoi dhe të nxjerr akt normativ që Departamentin e Dëmeve në kuadër të kompanive ta shuaj si institucion. Departamenti i dëmeve të sigurisë, vetë e vlerëson dhe vetë e ofron ofertën financiare gjë kjo që përbën konflikt interesi”, ka thënë avokati Fatbardh Makolli,në emisionin Ekonomia me Erëzën, në Klan Kosova.
Përveç konfliktit të interesit, praktika aktuale e vlerësimit të dëmit nga kompanitë bënë që shumë qytetarë të mos jenë të kënaqur e t’i drejtohen Gjykatave. Kjo, përveç tjerash, ndikon edhe në rritjen e shpenzimeve. “Sikurse Departamenti i dëmeve të anulohet dhe të hapen zyra të pavarura dhe profesionale për trajtimin e dëmeve atëherë nuk do të kishte kaq shumë lëndë në gjykata. Këtu ka anshmëri, konflikt interesi, dhe jo objektivitet”, bëri të ditur Makolli.
Ai tha se arsyeja që Banka Qendrore e Kosovë ka ngec është se ky institucion ende funksionon me rregullore të UNMIK-ut. “BQK-ja industrinë e sigurimeve e ka të rregulluar me rregullore të UNMIK-ut ende. Rregullorja e vitit 2001 është ende në fuqi dhe për këtë arsye nuk kanë ndryshuar kriteret dhe rregullat që duhet ti aplikoj tregu”, ka shtuar ai.
Lidhur me këtë, Udhëheqësi i Divizionit për Raportim dhe Analiza në Departamentin e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Bankën Qendrore të Kosovës, Berat Begu, ka thënë se ligji për sigurime është draftuar vitin e kaluar dhe momentalisht ndodhet në Ministrinë e Financave. “Gjatë vitit të kaluar kemi draftuar ligjin e përgjithshëm të sigurimit. Në janar të këtij viti është dërguar në Ministri të Financave për shqyrtim pastaj për të kaluar edhe në Kuvend për aprovim. Ligji është harmonizuar me direktiva evropiane, për këtë arsye ligjin e kemi dërguar edhe në Komisionin Evropian, dhe prej tyre kemi marr përgjigje pozitive”, ka thënë Begu.
Në debat u diskutua edhe për çështjen e kartonit të Gjelbër. Më tej, Begu tha se janë duke punuar që Kosova shpejt të futet në kartonin jeshil.
Ndërsa, drejtori i Kolegjit “Tempulli”, Muhamed Krasniqi, theksoi se kartoni i Gjelbër do të krijonte një mjedis të favorshëm ekonomik për Kosovën. “Kartoni i Gjelbër është një problem që bartet në shpinë pothuajse të secilit. Do të ishte i mirëseardhur për Kosovën, sepse gjithë transportuesit Kosovarë do të kishin një ambient më të favorshëm ekonomik” ka theksuar Krasniqi.
Kryetari i Shoqatës së Sigurimeve, Adem Selmani, theksoi mungesën e njohurive që kanë qytetarët sa i përket sigurimeve. “Nga anketat që i kemi bërë në teren kemi vërejtur se qytetarët kanë shumë pak njohuri sa i përket sigurimeve. Gjithashtu, ju mungojnë edhe informacionet lidhur me produktet që kompanitë e sigurimeve ofrojnë në treg” është shprehur Selmani. Rreth përcaktimit të çmimeve për polisa të sigurimit u tha se kjo caktohet nga kalkulimet që bëjnë aktuarët, e që bazohet në të dhënat e kaluara të tregut.
Në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës për sistemin Financiar të publikuar në gusht të këtij viti, thuhet se 13 kompani të sigurimit që operojnë në Kosovë kanë realizuar të hyra neto në vlerë prej 34.5 milionë euro. Vlera e dëmeve që kanë paguar ato arrin në 15.8 milionë euro, ndërsa shpenzimet e tyre kapin shifrën prej 18.5 milion euro. Në total, të gjitha kompanitë e sigurimit kanë pasur një fitim neto prej rreth 100 mijë eurove. /Telegrafi/