Site icon Telegrafi

Kosova organizon forum ekonomik me Emiratet e Bashkuara Arabe

Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të tetorit do të organizojnë së bashku një forum ekonomik për Kosovën. Kjo pasi, Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe, i ka dërguar një propozim Qeverisë e Kosovës për organizimin e këtij forumi, të cilin Kosova i kishte kërkuar në mars të vitit 2014.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi ka ftuar të gjitha Ministritë të përgatitën për këtë forum, sidomos me projekte të veçanta, pasi ky forum ka për qëllim sjelljen e investitorëve dhe hapjen e sa më shumë vendeve të reja të punës.

“Këto ditë kemi pranuar një propozim nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe për organizimin e këtij forumi në mes dy vendeve në fund të tetorit. Duke parë rëndësinë që Qeveria i ka dhënë nxitjes së investimeve të huaja edhe më herët dhe reformat e ndërmarra për të përmirësuar klimën e investimeve, kjo iniciativë vjen në vazhdën e synimeve tona për të sjellë investitorë të huaj në Kosovë. Prandaj do të ishte e rëndësishme që të shikojmë të gjitha ministritë e linj ave përkatëse që të ndërmarrin të gjitha përgatitjet e duhura, posaçërisht për projekte konkrete në sektorë të ndryshëm me qëllim, në veçanti hapjen e vendeve të reja të punës”, tha Thaçi.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar po ashtu ka miratuar udhëzimin administrativ për lirimin e disa produkteve të caktuara nga tatimi doganor prej 10 për qind.

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se ky udhëzim administrativ po propozohet në vazhdën e reformës fiskale që ka nisur Qeveria gjatë këtij viti.

“Lista për lirimin doganor është e përcaktuar në shtojcën e këtij udhëzimi ku janë të definuara kodet doganore për 21 produkte apo grup produkte. Prej tyre 13 produkte apo grup produktesh farmaceutike, katër produkte ose grup produktesh që kanë të bëjnë me vajra, gazra dhe të ngjashme, tre lloje produktesh apo grup produktesh të arit të papërpunuar dhe një produkt që ka të bëjë me vegla pune për bujqësi që më herët nuk kanë qenë të liruara nga tatimi doganor”, tha Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version