Site icon Telegrafi

Kosova nuk më do!

Çikat e Kosovës gjatë bisedave të lira flasin shqip me të lujtë menia e kresë. Mjaltë e tëra. Muzikë, simfoni, Shtraus, Danub, Drin, vals. Aq e bukur, aq mahnitëse është shqipja e tyre, sa të mos impresionohesh nga kënaqësia që shqipja e tyre të fal, duhet të jesh shtazë. Ndërkohë, shqipja komunikative mediatike e çikave dhe çunave të Kosovës, një mballosje snobiste e dialektit kosovaresk me shqipen standarde, është aq katastrofike sa bindem se Kosova, njëra nga gratë e mia më të hirshme, më të ëmbla, të cilën prej shekujsh e dashuroj dhe më dashuron, tash sa kohë nuk më do më.

Kosova vend i lirë do duhej të qeverisej, begatohej e lartësohej në të gjitha aspektet dhe të gjitha nivelet, nga krema e saj, intelektualët e ndershëm që Kosova i ka, të rinjtë e fuqishëm që Kosovës nuk i mungojnë, të shkolluarit mendjendritur ardhur nga aulat e universiteteve të botës. Por, Kosova kontrollohet në çdo skutë nga hajnat, dishepujt e kurvit ardhur nga bodrumet e marksizëm-leninizmit që po e bëjnë Kosovën lesh arapi, ekzakt ashtu si shkaut i konvenon, pa Bogdan, Bud, Lasgush, Kadare, Dante, Beethoven, Shekspir, plot me këngë arabike imamësh nëpër minare. Prandaj, jam i mërzit, dhe uluras: Mua që për Kosovën qaj, Kosova që më ka dash, nuk do me më pa më me sy.

Gaz lotsjellës në Parlament është një kujë dhe një llahtarë e papërfytyrueshme që nuk duhet të ndodhë kurrën e kurrës në asnjë rrethanë, sado dramatike. Megjithatë ndodh. E meqenëse ndodh, unë që për Kosovën vdes, nuk mund të them se Kosova më do.

Humori televiziv kosovaresk është aq qesharak sa të vjen turp me e pa e me e nigju. Debati televiziv në Kosovë është më gdhe se i Shqipërisë. Komentet e kosovarëve nëpër rrjeta sociale janë më të trasha se vetë trashësia. Sado ta dua unë, një vend me nivel komunikimi të tillë, nuk mundet me më dash mua.

Përditshmëria e bën televizionin. Televizioni nuk e bën dot përditshmërinë. Kosovarët dhe kosovareshat e pispillosura televizive vetëm me biseda të sheqerosura, batuta pa kripë, modë, muzikë, kuzhinë, pa asnjë lidhje me faktet e përditshmërisë, pa pula që kakarisin, pa gjela që këndojnë, qenë që lehin, vrasës dhe të vrarë, rrahës dhe të rrahur, vjedhës dhe të vjedhur, sado të lodhen e përpëliten nuk e bëjnë dot televizionin. Rrjedhimisht Kosova mua nuk më do.

Me ardh në gusht në Durrës me u rrezit pranë detit. Me ndejt në diell aq gjatë sa lëkura me t’u përzhit me shpesë se dielli të ka hy në brendësi të mishit dhe deri gushtin tjetër aty do rrijë, keq më vjen ta them, por është fakt që këtë budallaki Ti Kosovë e bën. Domethënë që mua nuk më do. Po të më doje, nuk do ta bëje.

Ti Kosovë bën çdo ditë e më tepër pica, bifteqe, hamburgera, për snobat që janë pakicë, dhe çdo ditë e më pak pasul për kosovarët autentikë dhe mua që jemi shumicë. Ky është një krim i shëmtuar që, mes tjerash, provon se nuk më do.

U lirua Ura në Mitrovicë. Bukur. Mezi e pritëm. Por, shembën Xhaminë. Më mirë të kishin shembur gjysmën e Prishtinës se Xhaminë e vjetër të Mitrovicës përtej urës. Kosovë, Xhaminë e Tiranës as kurvi nuk guxoi ta preki. Xhaminë e vjetër nuk duhej ta kishe shembur kurrsesi. Po të më doje, nuk do ta shembje. Nuk më do, prandaj e shembe.

E kam provu me ju afru Xhulietës time Kosovë, natën si Romeo, ditën si Don Juan, në mëngjes si dashuror, në mesditë si gentleman, nëpër ëndrra si Engjull, nga Morini si teptil, nga Maqedonia si patriot kafeneje, nga Luma si luftëtar çiftelie. E pamundur. Ajo prej grave për të cilën më së shumti digjem ta kem afër t’ia shpreh dashurinë, ta përkëdhel, ta puth, sa më tepër i afrohem, aq më tepër më largohet. Sa herë nisem në Kosovë përfundoj në Myzeqe, Devoll, Dibër, Pukë, Tepelenë, nëpër maja, gërxhe, përrenj, shkëmbinj, humnera.

Kosova nuk më do. Kosovën nuk mund ta vizitoj. Në Kosovë nuk mund të shkoj. Në Kosovë s’kam çfarë të bëj. Në Kosovë nuk kam ku vete. Mua që 16 vjet të shkuara fill pas bombardimeve udhëtova nëpër Kosovë tre dit e tre net me lot në sy, sot në Kosovë nuk ka kush më pret.

Exit mobile version