Site icon Telegrafi

“Kosova nuk ka përparuar, korrupsioni vazhdon të jetë i lartë”

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Vlerësimi i rrezikut nga korrupsioni në industrinë e mihjes: Gjetjet dhe rekomandimet”. Në këtë tryezë janë prezantuar gjetjet mbi gjendjen dhe shkallën e rrezikshmërisë së korrupsionit në industrinë mihës në vend.

Mungesa e ndarjes së licencimit, mbikëqyrjes dhe të ardhurave, licenca dhe negocimi i kontratave, mungesa e licencave te hapura dhe të përdorshme dhe regjistrimit të kontratave, proceset juridike jo të efektshme, dënimet e ulëta për operatorët ilegalë, mungesa e zbulimit publik të pagesave të pranuara përmes taksave, honorarëve dhe të ardhurave tjera në mënyrë proaktive, janë disa nga gjetjet që janë identifikuar në raportin e fundit të UNDP-së për sektorin e minierave.

Alessandra Roccasalvo, zëvendëspërfaqësuese e përhershme e UNDP-së, tha se korrupsioni, bashkërisht me ndotjen dhe nepotizmi, ka ndikime morale edhe në zhvillim ekonomik të Kosovës. Ajo ka marrë shembull se edhe në vendet tjera ky sektor është joshës.

“Në industrinë nxjerrëse në mungesë të integritetit dhe të llogaridhënies e kemi parë se edhe në vendet të tjera ku ka diçka për të eksploruar ka gjithmonë një joshje të madhe për të fituar anash. Duam të ju ndihmojmë ministrive që të vendosin legjislacionin në terren dhe të bëjmë rregullimet e duhura të sigurojmë që çfarë do që bëhet në Kosovë të përfitoj ekonomia dhe publiku i Kosovës… Industria nxjerrëse mund të ndihmoj ekonominë e Kosovës dhe mund të dimë për çfarëdo përfitime që ekzistojnë dhe çfarëdo të hyrash që mblidhen se a do të kalojnë nëpër kanalet e duhura dhe a do përfitojnë vendet e duhura dhe buxheti i Kosovës dhe publiku i Kosovës. Për këtë qëllim para pak kohësh kemi filluar vlerësimin sektorial dhe disa prej tyre janë bërë dhe ky është i fundit që është bërë… Ajo çka ne po mundohemi si UNDP është që t’i japim rekomandimet më të mira dhe më të kuptueshme të aplikueshme për ministrinë”, tha Roccasalvo, raporton KP.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se Qeveria ka filluar disa nisma që lidhen me këtë sektor dhe se synimi i Qeverisë është që të krijoj ambient sa më të favorshme për këtë biznes.

“Prej këtyre tetë rekomandimeve pothuajse të gjitha janë në pjesën e asaj që ne ende po e dialogojmë që ende po investojmë edhe me institucionet brenda vendit dhe me investitorët jashtë. Në prezantimin e sotëm do t’i them dy nisma konkrete që i kemi ndërmarrë dhe që të dyja shkojnë në këtë drejtim. Edhe për sektorin e energjisë për burime të ripërtërishme po edhe për sektorin minerar. Krijimi i një ‘one-stop-shop’ që përsëri është një hap drejt përmirësimit të ambientit biznesor për investime, por që këto investime, sado që ua lehtësojnë jetën investitorëve, gjithmonë duhet ta kemi edhe një avantazh të këtyre investimeve që duhet të jetë dimensioni social dhe mjedisor. Në të njëjtën kohë kërkohet zhvillim ekonomik, krijim i vendeve të reja të punës dhe në të njëjtën kohë kërkohet mbrojtje e ambientit. Kreativiteti është që ato të balancohen, asnjëherë nuk balancohen njëra me tjetrën jo vetëm në Kosovë po në asnjë vend të botës”, tha Stavileci.

Patrick Etienne, drejtor i Zyrës zvicerane për bashkëpunim në Kosovë, tha se shteti zviceran i ka ndihmuar Kosovës e po ashtu ata do të vazhdojë të ndihmojnë në strategjinë e cila sipas tij është në përgatitje e sipër.

“Ne i mbështesim përpjekjet kundër korrupsionit në Kosovës dhe pse jemi duke kontribuar bashkërisht me UNDP me këtë program… Aktualisht jemi duke e përgatitur strategjinë 2017-2020. Jam shumë i brengosur se rezultatet që po i planifikojmë bashkërisht me Qeverinë e Kosovës, nuk do të mund t’i arrijmë si rezultat i mungesës së përparimit në performancën e institucioneve kosovare. Mbi të gjitha, prioritetet janë që të riformojmë sistemin e llogaridhënies dhe mekanizmave dhe kjo natyrisht ka një lidhje direkte me ndërhyrjet politike dhe luftën kundër korrupsionit, qeverisjes së keqe e keqmenaxhimit. Kjo në Kosovës në periudhën e fundit nuk ka pasur përparim të theksuar – nëse e lexojmë raportin apo indeksin e internacional transparence apo raportin e BE-së”, tha Etienne.

Raporti ka identifikuar pikat e rrezikshmërisë së industrisë së nxjerrëse në vend, në të cilat korrupsioni ka hapësirë të zhvillohet. Raporti po ashtu jep rekomandime se çfarë masa duhet të ndërmerren për të adresuar pikat që janë me rrezikshmëri të lartë për korrupsion. /KP/

Exit mobile version