Telegrafi

Kosova nuk ka miell për eksport

Në mungesë të prodhimit të mjaftueshëm për nevoja të veta, Kosova vazhdimisht importon grurë dhe miell. Megjithatë, grumbulluesit vendës të miellit shpesh siloset e tyre i zbrazin në tregun e rajonit, para atij të Kosovës. Me prodhimin vendor të grurit, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, plotësohen afër 80 për qind të nevojave të kosovarëve, ndërsa pjesa tjetër vjen kryesisht nga importi.

Ndërkaq, nevojat konsumuese për kokë banori janë 205 kilogram grurë për vit, që është ekuivalente me 140 kilogramë miell, ndërsa nevojat e përgjithshme konsumuese sillen rreth 410 mijë tonë grurë. Prodhuesit dhe përpunuesit e grurit në vend vlerësojnë se me këtë sasi të prodhimit Kosova nuk ka kapacitete të eksportojë grurë dhe miell në tregjet e jashtme.

Muhamet Farizi, drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, thotë se përgjithësisht gruri vendor nuk mund t’i plotësojë nevojat vjetore të konsumit të përgjithshëm.
“Në Kosovë prodhohet sasi e konsiderueshme e grurit, mirëpo në përgjithësi nuk i plotëson nevojat”. Farizi thotë se importi i grurit sillet nga 130 mijë deri në 140 mijë tonë grurë. Sipas tij, Kosova eksporton miell, por jo edhe grurë sepse nuk i plotëson nevojat. /Tribuna/Telegrafi/