Kosova për herë të parë paraqitet në kualifikime për botëror, ndërsa bën pjesë në Grupin e Parë, ku gjenden edhe Bosnja e Sllovakia. Vetëm fituesi i grupit kalon në raundin tjetër kualifikues, shkruan sot Koha Ditore.
Kosova më herët është paraqitur në kualifikime për evropian dhe ka përfunduar e fundit, prapa Rumanisë e Italisë.
Në kampionatin e vendeve në zhvillim doli e treta. Por, të mërkurën nuk pati forcë për të befasuar Lituaninë, që llogaritet favorite e grupit të parë. Megjithatë paraqitja e Kosovës u vlerësua dhe humbja me katër gola dallim nuk vlerësohet e lartë.
Kosova hapi mirë ndeshjen, por në minutat e fundit të pjesës së parë lituanët ia dolën të shkëputen në rezultat. Pjesa e parë përfundoi me shtatë gola dallim në të mirë të Lituanisë.
Në pjesën e dytë, Kosova u paraqit mirë dhe në shumë raste ia doli të ngushtojë epërsinë në tre gola. Por më shumë nuk ia doli të afrohet, me gjithë përpjekjet. Kosova pati momentet e saj të mira, ndërsa pati përkrahje të madhe, përkrahje të madhe nga rreth 1.500 shikues të mbledhur në palestrën "Shani Nushi".