Kosova ka pësuar humbje në ndeshjen e parë kualifikuese të botërorit “Kina 2019” kundër ish-kampionit të Evropës.
Basketbollistët tanë nuk arritën të fitonin para shikuesve të vetë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë kundër Lituanisë, duke pësuar humbje me rezultat 99:61.
“Dardanët” i befasuan kundërshtarët që ishin super favoritë, duke u shkaktuar probleme në njëzet minutshin e parë.
Në çerekun e parë përfaqësuesja e Kosovës ishte më e mirë se mysafirët duke e përmbyllur këtë periudhë me një pikë avantazh, 21:20.
Edhe çereku i dytë ishte i mirë për skuadrën tonë duke treguar cilësi të mirë në sulm dhe mbrojtje të çeliktë, e cila rezultoi që “super” lituanezët të ndalen në barazim, 35:35.
Por, në pjesën e dytë vardhegjelbërit treguan pse i kanë fituar në të kaluarën tri kampionate evropiane.
Periudha e tretë ishte fatale për skuadrën tonë pasi që erdhi në shprehje përgatitje fizike dhe shpërqendrimi i lojtarëve tanë, ku çerekun e tretë mysafirët e përfunduan me epërsi prej 14 pikëve.
Çereku i katërt ishte edhe më i dobët për lojtarët tanë pasi që Lituanezët ndeshjen e përfunduan me 38 pikë epërsi, përkatësisht me rezultat 99:61.
Basketbollisti më efikas te Kosova ishte Dardan Berisha me 19 pikë ndërsa te lituanezët më i miri në fushë ishte Antonio Jasikevicius me 16 pikë.
Pas kësaj, Lituania zë pozitën e parë të renditjes tabelore të Grupit C me dy pikë, po aq sa ka edhe Polonia, e cila triumfoi kundër Hungarisë me rezultat 70:60.
Kujtojmë se në takimin e radhës Kosova do të jetë mysafire e kombëtares së Hungarisë ndërsa Lituania do ta pres para shikuesve të vetë Poloninë. /Telegrafi/