Telegrafi

Kosova nuk i ka as dy milionë banorë?!

Numrin e banorëve nuk e ka shtuar as afati shtesë për regjistrim të popullsisë, që vazhdoi në disa komuna të Kosovës, duke i përfshirë ato me shumicë serbe, por jo edhe veriun e Mitrovicës.

Një ndër faktorët që ka ndikuar që shteti i ri të mos i ketë as dy milionë banorë është imigrimi i vazhdueshëm i kosovarëve në shtetet evropiane, ka theksuar drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Popullsisë në Entin e Statistikave të Kosovës, Sabri Zabërgja.

Ai ka treguar se regjistrimit të popullsisë i janë përgjigjur pothuajse qind për qind qytetarët e Kosovës, duke i përfshirë në listën suplementare edhe qytetarët kosovarë që jetojnë në diasporë.

“Më shumë se 98 për qind e popullatës rezidente është regjistruar dhe zyrtarisht regjistrimi ka përfunduar të martën në orën 24 në 34 komuna të Kosovës. Nga ky proces është parë se një numër i madh i kosovarëve jetojnë jashtë vendit dhe numri i tyre sillet prej 700-850 mijë banorë, dhe ky emigrim ka ndikuar që numri i banorëve rezidentë të Kosovës të mos e arrijë dymilionëshin”, ka treguar drejtori Zabërgja. /Koha/Telegrafi/