Përfaqësuesja U-20 e Kosovës në hendboll do të shpresojë për fitoren e parë në kualifikime, kur nis eliminatoret për kampionatin evropian që mbahen këtë vit.
Kosova bën pjesë në grupin e parë së bashku me Lituaninë, Gjermaninë e Rusinë. Ndeshjen e parë e luan të premten (sot) me Lituaninë, nga ora 18:00. Të gjitha ndeshjet e këtij grupi luhen në Garliava të Lituanisë. Të shtunën Kosova luan me Gjermaninë, ndërsa të dielën me Rusinë.
Gjermania e Rusia vlerësohen favorite për t’u kualifikuar nga dy pozitat e para, ndërsa për Kosovën ndonjë fitore eventuale do të ishte sukses i jashtëzakonshëm, shkruan sot Koha Ditore.
Kosova nuk përmendet në mesin e favoritëve të grupit. Madje ajo njihet shumë pak nga rivalët.
“Nuk i njohim ende mirë ekipet e Lituanisë dhe Kosovës, por do të gjejmë kohë që t’i analizojmë para fillimit të turneut”, ka thënë përzgjedhësi i Gjermanisë, Markus Baur. Gjermania është kampione në fuqi e kësaj grupmoshe. Ka fituar kampionatin e juniorëve dy vite më parë e udhëhequr pikërisht nga Baur. “Rusia definitivisht është kundërshtarja më e fortë. Ajo u rendit para nesh vjet në kampionatin botëror të të rinjve”, ka shtuar përzgjedhësi gjerman.
Përzgjedhësi i Rusisë, Alexander Alekseev, Kosovën nuk e ka përmendur fare.