Telegrafi

Kosova, një prej temave të takimit, Sarkozy-Putin

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, ka thënë për agjencinë Reuters se, kjo vizitë, është e rëndësishme për Rusinë, “pasi që Franca, në disa muajt e kaluar, i ka përshpejtuar aktivitetet e saj në politikën e jashtme”.

"Rusia dhe Franca duhet të bisedojnë për një mori çështjesh të rëndësishme. Për disa prej tyre, qëndrimet tona janë të përafërta, ose përputhen në tërësi, mirëpo nuk është kurrfarë fshehtësie se ekzistojnë problemet rreth të cilave kemi qasje të ndryshme”, ka thënë Peskov.

Sipas agjencisë britanike të lajmeve, një prej çështjeve rreth të cilës Franca dhe Rusia kanë qëndrime të kundërta, e që do të diskutohet në këtë takim, është çështja e statusit të Kosovës.

Në rëndin e ditës gjatë takimit të dy presidentëve, do të jetë edhe programi i kontestuar nuklear i Iranit, për shkak të të cilit, siç kanë paralajmëruar pushtetarët në Paris dhe Berlin të premten, Bashkimi Evropian do të mund ta dënonte Iranin, madje edhe para se të merret një vendim kundër Teheranit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në këtë takim po ashtu pritet të diskutohet edhe për situatën në Çeçeni, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe vrasjen e gazetares, Ana Politkovska, para një viti.

Rusia, siç thekson Reuters, po ashtu ka nevojë për mbështetjen e Francës, për pranimin e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë.