Telegrafi

Një hap drejt anëtarësimit në KiE – çështja për Kosovën vendoset më 18 prill në Asamblenë Parlamentare

Kosova ka kaluar votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Këtë lajm të mirë për vendin tonë e ka bërë të ditur edhe faqja zyrtare e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës.

“Komiteti i Çështjeve, i mbledhur në Paris, ka rekomanduar që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se hapi tjetër është një debat plenar që pritet të mbahet më 18 prill dhe një votim nga Asambleja Parlamentare e  Këshillit të Evropës.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, që ishte i pranishëm në takim, tha se raporti u votua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Por, sipas tij, gjatë takimit kishte mospajtime.

“Në Komitet deputetët ishin të ndarë. Në njërën anë, Serbia kundërshtonte dhe në anën tjetër kishte pothuajse konsensus në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës”, shkroi ai në X.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi i saj kundërshtohet nga Serbia.

Anëtarësimi i Prishtinës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim. /Telegrafi/