Zeqiri ka fituar me vendim unanim të gjyqtarëve, pas dominimit që pati në ring gjatë tre raundeve, në veçanti në ato dy të fundit.
“Liridoni iu përmbajt këshillave të trajnerit Peci dhe kjo bëri që ai të fitojë bindshëm meçin ndaj nigerianit”, tha Latif Demolli, sekretar i FboxK dhe gjyqtar ndërkombëtar.
Sot në ring do të ngjitet edhe kosovari i dytë, Arian Gashi (69 kg), i cili kryqëzon dorëzat me Jospeh Deireregea nga Narua, derisa i fundit dhe i treti kosovar që do të kërkojë vazhdimin e garave për medalje, do të jetë Armend Xhoxhaj, i cili më 20 tetorë përballet me bullgarin Radoslav Pantaliev, fituesin e turneut “Adem Jashari” në vitin 2012. Xhoxhaj në bazë të shortit, me dy meçe të fituara, mund të stoliset me medalje të bronztë. /Zëri/Telegrafi/