Telegrafi

Kosova nënshkruese e deklaratës ministrore të Forumit Botëror të Ujërave

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor, Ferid Agani, së bashku me Kryeshefin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morinën, po marrin pjesë në Forumin e 7 Botëror të Ujërave, që po mbahet në qytetin Gyeongju, të Republikës së Koresë së Jugut.

Me këtë rast, ministri Agani, para 169 delegacioneve nga mbarë bota, ka mbajtur një fjalim, me anë të së cilit ka përshkruan gjendjen aktuale në të cilën gjendet Kosova në fushën e ujërave.

“Sigurimi i ujit të pijes për të gjithë qytetarët, mbrojtja e burimeve të ujit si pasuri kombëtare, fuqizimi i sistemit të financimit të menaxhimit të resurseve ujore nëpërmjet qeverisjes së mirë dhe kreative, ngritja e vetëdijes së shoqërisë për ruajtjen e ujit, si dhe zbatimi i partneritetit publiko privat, brenda kornizës konceptuale të menaxhimit të integruar të burimeve ujore, janë dhe mbesin prioritetet e larta të qeverisë së Kosovës”, ka pohuar ministri Agani.

Mbi këto parime Republika e Kosovës mbështet fuqishëm deklaratën ministrore të Forumit të 7 Botëror të Ujërave, të miratuar më 13 prill 2015 në Gyeongju, të Republikës së Koresë së Jugut, ku po marrin pjesë 169 delegacione, 19 ministra dhe 8 presidentë botërorë.

Paraprakisht u mbajt edhe një tryezë e rrumbullakët, ku u diskutua lidhur me problemet e menaxhimit të ujit, gjetjes së metodave financiare, mundësisë së avancimit të partneritetit publiko privat, në mënyrë që mjetet financiare publike të konkretizohen në furnizim më të mirë të popullatës me ujë të pijshëm. /Telegrafi/