Site icon Telegrafi

Kosova nënshkruan marrëveshje në vlerë prej 30 milionë euro me BERZH-in për t’i ndihmuar ndërmarrjet publike

Ministria e Financave ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin “Kredia e likuiditetit të urgjencës së infrastrukturës vitale”, në vlerë prej 30 milionë euro.

Në njoftim thuhet se, kredia është e destinuar për ndërmarrjet publike qendrore dhe Lokale dhe do t’i ndihmojë që të kalojnë sa më lehtë periudhën e pandemisë, duke marrë parasysh që shumica e tyre kanë pësuar rënie në të hyra deri në 50 për qind si rezultat i pandemisë COVID-19.

“Pasi vendi po vazhdon të përballet me pasojat e pandemisë COVID-19, përmes kësaj mbështetjeje, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të sigurojë ofrimin e shërbimeve thelbësore të infrastrukturës. Gjatë kësaj periudhe, shumë ofrues të infrastrukturës vitale kanë pësuar një mungesë të përkohshme të të hyrave. Këto vështirësi financiare të krijuara nga pandemia, synohet që të adresohen nëpërmjet kësaj mbështetje nga BERZH”, thuhet në njoftim.

Kësti i parë deri në 14 milionë euro do t’i sigurohet qeverisë për huazim për ofruesit e infrastrukturës vitale për mbështetje të menjëhershme emergjente. Derisa, kësti i dytë do të përdoret për financim dhe mbështetje të mëtejshme deri në përmirësim të arkëtimit të ofruesve të shërbimeve të infrastrukturës vitale.

“Mbështetja për infrastrukturën vitale gjatë pandemisë COVID-19 është një nga komponentët kryesor të përgjigjes së BERZH ndaj krizës së pandemisë. Si përgjigje për këtë situatë të krijuar, në nivel botëror, BERZH ka miratuar një Paketë Solidariteti në vlerë prej 21 miliardë euro në periudhën 2020-2021 për të luftuar ndikimin ekonomik të COVID-19”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version