Site icon Telegrafi

Kosova nën cipën e sertë të një anglezi

John Hodgson “E ardhmja në të shkuarën: Kujtime të Kosovës”, Prishtinë, CUNEUS, 20211.

Nga: Ismail Syla

1. 

John Hodgson, student i Kembrixhit (universitet i themeluar më 1209) tash me traditë 812 vjeçare, me gjyshin inxhinier detar dhe të atin oficer të marinës mbretërore, një anglez nga ishulli i mjegullt, gjatë qëndrimit trevjeçar në Kosovë, u familjarizua me fatin e shqiptarëve të Kosovës, aq sa “kur NATO-ja hyri në luftë për çlirimin e Kosovës , m’u duk sikur kishte hyrë në veprim ndërmarrja familjare” (f.13). Ky njeri me ambicie akademike në fushën e linguistikës, me parapëlqim për sllavistikën, jeton në Kosovën që nga dhjetori 1980 deri në dhjetor 1983, si lektor i gjuhës angleze në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Fakultetin Filozofik të Kosovës, tash Filologjik të Prishtinës. Se kujtimet e tij kanë vlerë të veçantë edhe në rrafshin tim personal, është fakti jetësor që unë në periudhën 1979 – 1981 kam qenë student i Degës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, deri më 24 janar 1982, kur arrestohem dhe burgosem në Nova Goricë të Sllovenisë, në përpjekje për të dalë në Perëndim përmes Italisë. Kujtimet e John-it i lexova dy herë dhe më shoqëruan me një sentimentalizëm të dyfishtë. Leximi i parë me efektin fillestar për saktësinë e vëzhgimeve dhe të përshtypjeve tij (pyetja te Menza e Studentëve “kush ka bon”, kënga “Ushton Gryka e Kaçanikut”, tanku i 3 prillit 1981, oborret me mure dhe me thi – shqitarët e krishterë, me thi dhe pa mure – serbët, antena e kanalit 11, e në fakt ishte për kanalin 12, sofra, si disk, “zdenka”, distinktivi me flamurin shqiptar në jakën e setrave etj.). Leximi i dytë do të jetë me komente më të zgjeruara në vijim.

2.

John Hodgson që vjen nga një familje tipike angleze “nga New Castle, çerdhe e revolucionit industrial në veri të Anglisë” (11), nuk shpalos asnjë lloj arrogance dhe prepotence ndaj Kosovës, ndaj vendit, njerëzve dhe kulturës shqiptare. Ai vjen nga shkollimi në Kembrixh me “ndërtesa historike me barë të prerë si me manikyr ”(15) dhe sheh oborrin e Fakultetit Filozofik si “një yrt të tharë” (15), sheh rrugicat me puse, kontrastin midis fytyrës urbane të Prishtinës dhe pakujdesisë ndaj pastërtisë, shastiset nga “koncerti” me muzikën me defe në shkollën e Carrallukës (66), por në asnjë rast nuk i përçmon as nuk i konsideron si shprehje të jetës parake, primitive, por si dukuri që duhet marrë ashtu siç janë. Ky mirëkuptim është shprehje dhe cilësi e njeriut të ngritur në aspektin akademik dhe me thellësi intelektuale. John Hudgson nuk e gjen vetveten ashtu siç i përcakton anglezët shqiptari Ardian Vehbiu “popull flegmatik…(11), por kur ai e lexon veprën e Edith Durham, me të drejtë konstaton se në disa aspekte të mentalitetit shqiptarët nuk kanë evoluuar shumë, si përçarja, inati hakmarrja etj. Në fakt John Hodgson i përket anglezit sipas nobelistit Elias Canetti “një komb që nuk flet me fjalë të fryra për vetveten, e megjithatë vazhdon pa pikë dyshimi të tregojë se ndjenja kombëtare e tij është më e qëndrueshmja në botën e sotme (E.C. “Masa dhe Pushteti”, vëll. I, f. 242).

3.

John Hodgson kur flet për Edith Durham, vëren se “nën cipën e sertë të asaj gruaje lexohej qartë një dashuri e flaktë për Ballkanin (45). Ky konstatim, po u përkthye me qëndrimin e tij mirëkuptues dhe human të shpalosur në kujtimet për Kosovën, të çon te kuptimi i parimit të jetës angleze që “ta gjesh zjarrin nën akull” (45). John Hodgson është dëshmitar okular i demonstratave të 11 e 26 marsit, 1 dhe 2 prillit 1981. Dhuna dhe shtypja brutale e demonstratave ishte mbresëlënëse për lektorin, i cili jep mozaikun e ngjarjeve si përjetues aktiv i tyre. “Një shtet europian kishte nxjerrë tankset kundër qytetarëve të vet pa e vënë re askush. Në Kosovë nuk kishte qenë i pranishëm asnjë gazetar, korrespodent i huaj, kanal televiziv, analist” (70).

Pas protestës madhështore të 1 prillit 1981, më 2 prill policia dhe i ushtria serbe reagoi me armë zjarri ndaj demonstruesve. Më 3 prill u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Në rrugët kryesore të zemrës së Prishtinës defilonin tetë tanket e Garnizonit të Prishtinës. John Hadgson i përshkruan bukur. “Te semaforët pashë tanksin e parë. Po zbriste nga mensa e studentëve, pikërisht aty ku kishte qenë postblloku i parë. Dukej si dinozaur, i stërmadh, me lëvizje të ngathëta dhe të mundimshme, me blindat si luspa… Ishte një objekt hem i frikshëm, hem qesharak dhe gjithsesi primitiv. Sikur mishëronte në vetvete tërë përgjigjen e shtetit jugosllav ndaj protestave në Kosovë” (57). Kur jemi te tanku simbolik dhe reprezentativ i Hudgson-it, unë jam dëshmitar i asaj parade armiqësore me tanke. Pak nën semaforët e Filologjikut në drejtim të Fushë Kosovës, një tank pësoi avari. Nuk kish gjë më komprometuese për fuqinë e tyre se ai tank i mbetur në udhë. Zymtësia e Qendrës së Studentëve, klima e rëndë nëpër ndërtesat e fakulteteve atmosfera e dhunës dhe kërcënimeve e bën Hudgson që Prishtinën ta emërtoj si “Pendrek City” (58).

4. 

Mësimdhënia dhe mësim zënia bën që John Hodgson në kujtimet e tij të evidentojë momente me vlerë rreth kulturës, gjuhës, traditave dhe përditshmërisë së jetës së shqiptarëve të Kosovës. Te gjuha shqipe ai dallon gjithë shtresëzimet. Gjuha e librave gramatikorë është në njërën anë. Gjuha e folur është në anën tjetër. Gjuha e muzikës është ndryshe në Radio Prishtinë, ndryshe në Festivalin e këngës në RTSH në një fund vit, kur autori e përcolli në televizorin bardh e zi. Autori ballafaqohet me të gjitha variantet e gjuhës: “nën shtresën e hollë të asfaltit gjallonte dheu i thellë i gjuhës popullore” (78), thotë ai, duke shtuar se jashtë gjuhës zyrtare ishte kodi i fshehtë i asaj popullore: “Ishte gjuha e njerëzve që njihja, që ata e përdornin për shprehjen e mikpritjes, për muhabet e humor” (76). Lektori anglez dallon me mprehtësi përdorimin e barbarizmave në bazë të gjeneratave, te më pleqtë shprehjet orientale, të të tjerët shprehjet sllave (knjižica – librezës, slušalica – stetoskopit të mjekut etj.) Efekti i tingullor i gjuhës letrare shqipe nga Hodgson shprehet me një gjetje metaforike dhe krahasuese: “…gjuha letrare tingëllonte në veshin tim si diçka femërore, me bashkëtingëllore si trokitja e lehtë e takave të larta, ose tasteve të një makine shkrimi.” (78).

Në tërë këtë llojllojshmëri të niveleve dhe diskurseve, më së shumti e impresionon habitorja e gjuhës shqipe, e cila ka ngjashmëri vetëm me gjuhën sanskrite. Të kujtojmë, përmes Lasgush Poradecit vetëm dy shprehje të kësaj habitoreje: Ardhka nusja! Rënka diell!”, si të themi me habi, shih, shih po vijka nusja, shih po nxejka dielli! Në këto kujtime nuk ke si të mos lësh mënjanë edhe gjuhën mimetike të autorit. Ku ma bukur se përkufizimi perifrazik i dimive të plakave “të veshura me funde voluminoze” të kafes turke si “zift i ëmbël që zihet në xhezve prej tunxhi” (32) ose shprehja e zgjeruar pleonazmatike për kungullorin “pite në formën e një rrote të madhe të çmontuar në segmente” (102). Krahas niveleve dhe diskurseve të gjuhës, Hudgson vëren edhe aspektin dual të historiografisë në vitet 1980. Për të më e plotë dhe më e vërtetë është historia e ndaluar, që jeton në kujtesën e njerëzve se ajo zyrtare e censuruar. Në kasetat e këngëve të incizuara nga amatorët, e që shiten në tregun e Prishtinës, autori e nuhat, e ndien dhe e kupton pjesën e ndaluar dhe të vërtetën e historisë së shqiptarëve (këngët për Azem Bejtën, Bec Sinanin, Dan Derocin etj. f. 113).

5.

Në këtë libër kujtimesh shihen edhe detaje të shumta që një mendjeje angleze i lënë përshtypje të përditshme. Ky është depërtim i thellë në kulturën dhe mënyrën e jetës së tjetrit. Janë mbresëlënëse të gjitha evidentimet e John Hodgson, që nga shprehja kur porositet byreku, i cili hahet brenda lokalit “për këtu” (75) e deri te identifikimi i Shqipërisë me shprehjen metaforike “matanë gardhi”. Po ashtu bie në sy fryma iluministe e Kosovës e epokës me universitet, ku vrapi drejt dijes dhe shkencës shihet si komponent e forcimit të identiteti kombëtar, e ku feja islame dhe hoxhallarët identifikohen me prapambetjen dhe mos emancipimin. Dallimi midis odës, xhamisë dhe kishës është shkollor (108).

Përshkrimi metaforik i Pallatit të Rinisë si “sallë sportive me brinjë bakri” i “Grand”-it si “hotel i kabashëm me pesë yje”(25), i lustraxhinjve të këpucëve që “bëjnë muzikë me furça” (26), i bufesë së Filozofikut ku shitej vetëm lëng boronice (të fabrikuara nga “Ereniku”, vër. ime f. 31), kuptimi pezhorativ i fjalës “zorraxhi” për ata shqiptarë që flisnin turqisht, profesori i marksizmit me kritere të rrepta (Idriz Rexha, vër. ime), targa UR, për Ferizaj në fjalëkryqe, TM për Mitrovicën, e që nga shqiptarët në vend të simboleve të Titova Mitrovica, lexohej si Tahir Meha, një kryengritës nga Prekazi i Drenicës që luftoi kundër policisë jugosllave në ditën zyrtare të saj më 13 maj 1981, shitorja, “zadruga” INA (pikë karburant) dhe ambulanca si infrastrukturë e vendbanimeve të Kosovës (Kijeva, f. 127), duhani refuz, shqeto në kutitë e këmishave, sorrat dhe çafkat te plepat afër RTK-së, urrejtja ndaj shqiptarëve e palestinezit Maher, etj. etj. janë margaritarë, që kur evidentohen nga një i huaj, kanë peshë të jashtëzakonshme për dëshminë e përditshmërisë, e cila ashtu veç e veç, brenda një tërësie përben historinë, të shkuarën dhe të ardhmen.

6.

Për brezin tim ky libër është margaritar. Çdo germë të tij e dimë sa ka saktësi. Ky shkrim është një falënderim publik për autorin, lektorin dhe mikun e shqiptarëve John Hodgson. Paçim rast për t’u njohur! Kjo është trajtë dëshirore, z. Hodgson.

Exit mobile version