Site icon Telegrafi

Kosova në shënjestër të grupeve kriminale, ekspertët thonë se ka pozicion të mirë si vend transit për trafikim droge

Sot Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Shtetit ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës dhe të Gjilanit, i cili ka rezultuar me arrestimin e gjashtë personave të dyshuar dhe konfiskimin e mbi 82 kilogramë substanca narkotike, marihuanë.

Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi thotë se me këto aksione, policia nuk po lejon që Kosova të behet vend tranzit për kalimin e substancave narkotike.

“Me këto aksione po prehen mundësitë që Kosova të bëhet vend transiti i kalimit të drogave. Në këtë drejtim edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojë më shumë Kosovën”, deklaroi Nuredin Ibishi për RTV Dukagjinin.

Njohësi tjetër i sigurisë Drizan Shala thotë se Kosova ka pozicionin e mirë për t’u shndërruar në një vend transit për droga, përcjell Telegrafi.

“Kosova e ka pozicionin strategjik për grupet kriminale për të tentuar trafikimin e lëndeve narkotike qoftë nga lindja në perëndim apo nga perëndimi në lindje”, deklaroi Shala.

Me 18 maj të këtij viti në qytetin e  Lipjanit ishin kapur 400 kilogram drogë e llojit kokainë./Telegrafi/

Exit mobile version