Telegrafi

Kosova në mesin e pak vendeve të rajonit që ende nuk i ka hapur kinematë

Coronavirusi apo COVID-19 sigurisht se është fjala kryesore e këtij viti. Kjo pandemi ka ndikuar që rrjedha normale e jetës të ndryshojë për thuajse të gjithë personat.

Sidoqoftë, ndonëse tash e një kohë kanë filluar të lehtësohen masat dhe bizneset e industrive të ndryshme të fillojnë punën, kjo gjë nuk po vlen për kinematë që operojnë në Kosovë.

Qysh prej muajit mars të këtij viti, kinematë e Kosovës janë mbyllur për të mos u ditur ende se kur do të hapen.

Ndryshe prej Kosovës, kinematë në thuajse të gjitha vendet e rajonit janë duke funksionuar me rregulla të caktuara.

Sllovenia dhe Greqia i kanë hapur kinematë në muajin korrik, Austria me 5 gusht dhe Kroacia me 26 gusht.

Përveç këtyre, edhe shteti i Malit të Zi dhe Serbisë që nga nesër (1 shtator) do të lejojnë hapjen e kinemave.

Përndryshe, kinematë në Kosovë vazhdimisht kanë bërë kërkesë ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës për t’ua lejuar hapjen me rregulla dhe standarde botërore për parandalimin e pandemisë.

Javën e kaluar, kinemaja austriake Cineplexx ka dërguar një manual për lejimin e veprimtarisë, në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës. Në këtë manual parashihet mbajtja e distancës me nga 2 ulëse të zbrazura ndërmjet, dezinfektimi i rregullt i sallave dhe hapësirave të kinemasë, blerja e biletave online përmes aplikacionit telefonik, etj.

Menaxheri i Marketingut të Cineplexx Kosovo, Dëfrim Puka, ka thënë për Telegrafin se ata kanë bërë të gjitha përgatitjet për hapjen e kinemasë dhe se tani vetëm po presin lejen e Qeverisë për ta hapur kinemanë.