Historia e botës është historia e ndryshimit në interpretimin teorik të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndryshimi i shpejte po hapë një rrugë në njohjen e shumë tendencave që po shfaqen, disa prej tyre në drejtime të kundërta të cilat mund të krijojnë ndryshime, ndërsa disa të tjera mund të mbesin po të njëjtat.
Ciklet e paradigmave të shumta janë ngulitur në histori dhe teoria evoluon gjithmonë, si një përpjekje për të qëndruar e sinkronizuar me historinë.
Ndërvarësia komplekse ndonjëherë ofron përshkrimin më të mirë të politikave ndërkombëtare, sidomos mbi çështjet e ekonomisë ndërkombëtare. Për dallim nga marrëdhëniet që zhvillojnë shtetet në nivelin e lartë zyrtar qeveritar, kanalet e një komunikimi të shumëfishtë i lidhin më shumë shoqëritë. Përveç çështjes së sigurisë, që dominon gjykimin e politikës së jashtme, çështjet në agjendën ndërkombëtare nuk kanë gjithmonë një prioritet të fiksuar. Dhe, megjithëse fuqia ushtarake shpeshherë shërben si instrumenti kryesor i artit të qeverisjes, mjetet e tjera ndonjëherë janë më efikase kur zhvillohen marrëveshje ndërmjet vendeve të lidhura ekonomikisht.
Kosova është fokusuar në perspektivën e re teorike të liberalëve që vlerëson rrugën nëpërmjet të cilës institucionet ndërkombëtare përkrahin ndryshimin global, bashkëpunimin, paqen dhe prosperitetin nëpërmjet programeve të përbashkëta reformuese.
Diplomacia e Kosovës ka marrë si detyrë parësore qëllimin ndaj të cilit të gjithë objektivat e tjerë të shtetit duhet të nënshtrohen (është promovimi i interesave kombëtare dhe sigurimi i fuqisë për të realizuar këtë qëllim).
Në marrëdhëniet ndërkombëtare shtetet nuk janë i vetmi akter i rëndësishëm. Siguria nuk është qëllimi kombëtar dominues dhe fuqia ushtarake nuk është i vetmi instrument domethënës i politikës së jashtme. Dhe, kjo teori imponon rrugë të tërthorta, në të cilat lidhjet ndërmjet akterëve transnacionalë i bëjnë ata vullnetarë ndaj veprimeve të tjetrit dhe nevojave të tjetrit, duke krijuar kështu një ndërvarësi dhe bashkëpunim.
Kosova në aktivitetet të cilat zhvillon ndërmjet palëve, grupeve dhe akterëve globalë, imponohet në ushtrimin e influencës për arritjen dhe mbrojtjen e qëllimeve dhe idealeve të saj. Dhe, kjo në një formë apo tjetër ndikon në gjithë rajonin dhe botën.
Kosova ka arritur të kultivojë marrëdhënie të mira me SHBA-në, gjë që është e një rëndësie të veçantë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të vendit.
Duhet të jetë e qartë se proceset, si ndërtimi i partneritetit strategjik me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, përfshirë vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me këto organizata, në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike, janë rrugë të gjata dhe të komplikuara të cilat kërkojnë shumë angazhim pasi që – duke konsideruar ndryshimet e shpejta, që po ndodhin në mënyrë të qëndrueshme – është e rrezikshme të pranojmë që po ndodh transformimi më i madh në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ne shpesh presim që e ardhmja të sjell automatikisht ndryshime dhe më pas befasohemi kur zbulojmë se modelet nga e kaluara janë rishfaqur sërish.
Sidoqoftë, e ardhmja nuk është përcaktuar dhe titujt nuk janë tendenciozë. Kështu që ne mund t’i kalojmë rreziqet aktuale kërcënuese duke bërë zgjedhje te caktuara dhe etike, dhe kjo mund të arrihet vetëm me ide të cilat i kanë rezistuar kohës, të cilat gjithmonë kanë parashikuar ndryshime dhe mbijetesën e transformimit.
Në se nuk kemi imazh të përbashkët në zhvillimin dhe përmirësimin e diplomacisë së vendit, se për çfarë ia vlen të përpiqemi, shoqërisë do t’i mungojë si motivimi, ashtu edhe drejtimi.