Telegrafi

Kosova në Kongresin Global të Ndërmarrësisë në Kolumbi (Foto)

Kongresi Global i Ndërmarrësisë (GEC) çdo vit mbledhë mijëra ndërmarrës, investitorë, hulumtues, politikë-bërës dhe OJQ nga më shumë se 160 shtete nga e tërë bota, me qëllim të identifikimit të mënyrave më efikase për zhvillimin e ndërmarrësisë dhe bizneseve startup.

Në vitin e tetë të organizimit, Kosova po përfaqësohet nga Innovation Centre Kosovo (ICK), në ngjarjen që po mbahet në qytetin Medellin të Kolumbisë.

Në ditën e parë të kongesit, Kosova është prezantuar si storie e suksesit në angazhimin për zhvillimin e ndërmarrësisë, në një panel diskutimi për sfidat globale, në të cilin mori pjesë edhe drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu.

“Ky është një rast i mirë që botës ti tregojmë një storie tjetër nga ajo e luftës”, ka theksuar Begu, i cili gjatë ditës ka takuar edhe Thomas E. Lersten – drejtor i Programit Global të Ndërmarrësisë, në Departamentin Amerikan të Shtetit, të cilin e ka ftuar ta vizitojë vendin tonë në një të ardhme të afërt.

Kongresi Global i Ndërmarrësisë i vazhdon punimet deri më 17 mars 2016 dhe mundësohet nga Kauffman Foundation (SHBA).