Site icon Telegrafi

Kosova në heshtje zgjedhore

Kosova sot është heshtje zgjedhore, ndërkaq partitë politike mbrëmë kanë përmbyllur fushatën zgjedhore e cila filloi më 16 shtator.

Heshtja zgjedhore do të jetë deri të dielën, më 17 tetor në ora 07:00, atëherë edhe kur hapen vendvotimet.

Qytetarët e Kosovës, të dielën do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.

Qendrat e votimit hapen në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkaq në këto zgjedhje janë 158 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave. Në mesin e tyre janë 12 gra në nivel vendi.

Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Numri i qendrave të votimit në të gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime. /Telegrafi/

Exit mobile version