“Eurovisioni”, festivali më i madh evropian i muzikës, i themeluar në vitin 1956 vazhdon që çdo vit të sjellë për teleshikuesit garën më emocionuese të shteteve të Evropës, të cilat garojnë me prezantimin e muzikës së tyre.
Shumë shtete pjesëmarrëse me vite kanë garuar në këtë festival, gjersa edhe Shqipëria tash e 13 vite është pjesë e tij. Thuajse të gjitha shtetet e Ballkanit kanë të drejtë pjesëmarrjeje në “Eurovision”, me përjashtim të Kosovës.
Por çfarë po ndodh me Kosovën? Pse festivali evropian nuk i jep dritën e gjelbër për pjesëmarrje? Kur do të mund të marrim pjesë?… Janë këto pyetjet që kanë preokupuar thuajse çdo shtetas të Kosovës kur e ka parë transmetimin e “Eurovisionit”, por që rrallë patën rastin të marrim ndonjë përgjigje.
Kosova si shtet sovran që nga viti 2008, u mendua se kishte të gjitha të drejtat e duhura për t’u paraqitur në organizata të mëdha ndërkombëtare, kompeticione të ndryshme etj. Megjithatë nuk ishte kështu, një rrugë e gjatë po e priste përpara..
Qytetarët e Kosovës ndër vite e kanë ndjekur me shumë interes “Eurovisionin” dhe janë krenuar me paraqitjet dinjitoze të Shqipërisë në këtë festival, gjithmonë me shpresën se edhe Kosova një ditë do të ishte në garë.
Por, në fakt rruga drejt “Eurovisionit” për shtetin kosovar nuk duket të jetë edhe aq e lehtë…
Telegrafi ka arritur të kontaktojë me disa zyrtarë të EBU-së (Unionit të transmetuesve të Evropës), të cilët u shprehën se fatkeqësisht Kosova nuk do të mund të marrë pjesë në “Eurovision” pa qenë pjesë e organizatës EBU ose Këshillit të Evropës.
“Kosova nuk mund të marrë ende pjesë në ‘Eurovision’ ngase nuk është anëtare e EBU-së. Statusi i EBU-së thotë se një anëtar i ri duhet të vijë nga një shtet që është pjesë e ‘Unionit të Telekomunikimit Internacional’, ose duhet të jetë anëtar i Këshillit të Evropës. Kosova nuk është në asnjërën”.
“Megjithatë EBU kanë ndihmuar të rregullohet servisi i transmetuesit publik RTK në vitin 1999, duke i dhënë lejen e transmetimit, dhe vazhdojmë ende të bashkëpunojmë me RTK-në për të mbrojtur mediat me servis publik në Kosovë”, thanë zyrtarët nga zyra e komunikimit të ‘Eurovisionit’ për Telegrafin.
Ndërkohë, nga Radio Televizioni Publik i Kosovës (RTK), të kontaktuar nga Telegrafi nuk ishin të gatshëm të japin ndonjë prononcim lidhur me këtë çështje, ndonëse ata kanë një rol kyç në lobimin e Kosovës në “Eurovision”. Megjithatë duket se kjo çështje ende s’ka marrë rëndësinë e duhur dhe vazhdon të ‘neglizhohet’.
Që në vitin 2012, ish-zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, ka bërë vizitë lobuese në Gjenevë në selinë e ‘Eurovisionit’. Këtë vizitë e ka raportuar edhe EBU në faqen zyrtare në internet, duke potencuar dëshirën e Kosovës për anëtarësim. Ndërsa në vitin 2015, Selimi ka pohuar se çështja e anëtarësimit të Kosovës në “Eurovision” është e kryer.
Selimi tash e një vit nuk shërben më në Ministrinë e Jashtme pasi që tani udhëheq një fond investiv amerikan, por në një deklaratë të shkurtër i ka konfirmuar Telegrafit se “anëtarësimi i Kosovës në ‘Eurovision’ është i kushtëzuar me aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Sipas burimeve jozyrtare të Telegrafit nga MPJ, Kosova ende nuk ka aplikuar në Këshillin e Evropës. Para disa muajsh, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në emisionin ‘Interaktiv’ të KTV-së , potencoi se Kosova më 2017 do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kështu duket se anëtarësimi i Kosovës në “Eurovision” ende mbetet peng i aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në Strazburg.
Por, Telegrafi ka arritur të kontaktojë edhe me ministrin e Jashtëm Enver Hoxhajn, i cili u shpreh se rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës është çështje kohe, pasi Kosova këtë vit veç ka arritur të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme, por nuk mund të premtojë të njëjtën gjë për anëtarësimin në EBU.
“Ne i kemi shikuar disa herë të gjitha mënyrat e anëtarësimit me vet drejtorin e RTK-së dhe disa televizioneve të tjera, dhe natyrisht që do të bëjmë përpjekje maksimale në këtë drejtim, pasi e dimë që ‘Eurovisioni’ është një festival mbarë-evropian dhe Kosova si shtet nuk ka pse të mungojë aty”, tha Hoxhaj për Telegrafin.
I pyetur nëse ka ndonjë datë të caktuar kur mund të bëhet ky aplikim, ministri i Punëve të Jashtme tha se nuk ka njëherë diçka konkrete, madje vështirë se do të mund të bëhet diçka e re brenda këtij viti.
“Kemi një listë të organizatave të vitit 2017 ku Kosova synon të marrë pjesë. Këtë vit Kosova ka arritur që të anëtarësohet në organizatën e Doganave e cila ka qenë edhe prioritet, ndaj jemi koncentruar më shumë tek anëtarësimi në këtë organizatë. Sa i përket EBU-së do të shqyrtojmë këtë mundësi me institucionet relevante, të cilat do të bëjnë edhe aplikimin e duhur por anëtarësim, por siç e ceka ende një datë të saktë nuk kemi”, përfundoi ministri i Jashtëm për Telegrafin.
Ndonëse Kosova nuk është paraqitur ndonjëherë si shtet në “Eurovision”, ajo është paraqitur me përfaqësues, duke kujtuar këtu suksesin më të madh të Shqipërisë në “Eurovision 2012” me artisten kosovare Rona Nishliu, e cila me këngën “Suus” u rendit e pesta. Ndërsa këtë vit Shqipëria përfaqësohet sërish nga një artiste nga Kosova, Lindita Halimi, me këngën “Botë”.
Por, kompozitori i këngës “Suus”, Florent Boshnjaku, po e sheh si problem politik dhe mbase padrejtësi mospjesëmarrjen e Kosovës në “Eurovision”, megjithëse potencon se me këtë çështje duhet të merren institucionet përkatëse.
“Kosova fatkeqësisht nuk mundet të marre pjesë për arsye politike ne ‘Eurovision’, pra duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në EBU. Mendoj që ky problem duhet të theksohet më shumë nga politika jonë, sepse fjala është për kulturë dhe nuk është e drejtë që përveç shumë padrejtësive të cilat i bëhen Kosovës, si në lëvizjen e lirë etj., po ashtu nuk mund të i bëhet një padrejtësi kulturore e cila e përjashton komplet një shtet nga pjesëmarrja në aktivitetin më të madh muzikor në Evropë. Unë nuk mund të paragjykoj ndonjë vendim të institucioneve evropiane , por me siguri në qoftë se ekziston vullneti i mirë për një pjesëmarrje të mundshme të Kosovës me ndonjë kërkesë të veçantë, atëherë mbase do të mund të realizohej. Unë personalisht jo vetëm në ‘Eurovisionin’ e vitit 2012 ku kënga e kompozuar nga unë ‘Suus’ arriti suksesin më të madh që e ka pasur Shqipëria deri me sot (në rastin konkret kultura shqiptare e prezantuar nga artistët nga Kosova ), por kam arritur që të prezantoj edhe shtetin maltez në “Junior Eurosog” në 2016, dhe kjo tregon që Kosova ka mundësi, ka njerëz të cilët kanë cilësi dhe e kemi dëshmuar në disa raste këtë kualitet në fushën e muzikës, dhe ky është një argument i fortë i cili duhet të përdoret edhe nga politikanët tanë në mënyrë që mos të na mohohet pjesëmarrja në ‘Eurovision’” , tha Florent Boshnjaku për Telegrafin.
Duke qenë një ndër kompozitorët më besnikë për artistët dhe që i ka rënë të punojë me shumicën prej tyre, Boshnjaku u shpreh se ka artistë të talentuar dhe të interesuar ta prekin “Eurovisionin”.
“Te ne ka shumë këngëtarë cilësorë dhe krijues cilësorë të cilët denjësisht munden ta përfaqësojnë Kosovën në këtë ngjarje. Interesimi me siguri ekziston me vet faktin që shumë këngëtarë dhe krijues ndër vite kanë marrë pjesë në Festivalin e RTSH-së (për të cilin duhemi me qenë falënderues për mundësinë që na kane dhënë ndër vite gjithë krijuesve dhe interpretëve kosovarë) i cili dërgon edhe këngën fituese në ‘Eurovision’, dhe kemi rastin e fundit ku Linda Halimi një këngëtare e mrekullueshme nga Kosova do ta përfaqësojë kulturën shqiptare këtë vit në Ukrainë”, shtoi më tej kompozitori Boshnjaku.
Mungesa e festivaleve në Kosovë vërehet dukshëm, madje mund të thuhet se Kosova nuk e ka asnjë festival gjigant dhe serioz të muzikës. Por, nëse ajo një ditë do të anëtarësohej në EBU dhe do të fitonte të drejtën për t’u paraqitur në “Eurovision”, a janë të gatshëm kompozitorët bashkë me transmetuesit publikë (përfshirë dhe buxhetorët) të mblidhen bashkë në një festival, i cili do ta dërgonte këngën fituese në “Eurovision”?
Kompozitori Florent Boshnjaku dha këtë përgjigje: “Përgjegjësia i mbetet televizionit publik RTK, i cili në momentin që Kosova merr dritën jeshile për pjesëmarrje, ky institucion do të jetë i vetmi që e ka të drejtën ta dërgojë këngën përfaqësuese të Kosovës. Unë e kam thënë edhe më herët pavarësisht “Eurovisionit” mendoj që televizioni publik duhet ta krijojë një festival, i cili pastaj do të ishte i gatshëm për këngë konkurruese, mos të mbetet diçka e cila do të punohet nesër në moment të fundit dhe të dështojmë për mos përgatitje paraprake”.
Ndërkohë RTK, nuk dhanë ndonjë përgjigje konkrete as për këtë pjesë.
Ndonëse Kosova sa i përket muzikës mund të thuhet se nuk është në formën e saj më të mirë, falë projekteve jo cilësore, për mos të thënë të dobëta të disa prej artistëve të së ashtuquajturës ‘estradë’, megjithatë ka me qindra artistë të vërtetë të cilët ndonëse nuk renditen në top listat e këngëve komerciale, ata presin që në Kosovë të zhvillohet arti, kultura dhe vlerat e muzikës, të cilat nuk duhen të ‘heshtin’, po të dëgjohen dhe të depërtojnë edhe jashtë kufijve. “Eurovisioni” duhet të bëhet gati ta mirëpresë Kosovën. /Telegrafi/