Site icon Telegrafi

Kosova i bartë mjetet e premtuara për Luginën e Preshevës si ndihmë ndaj pandemisë së COVID-19

Ministria e Financave dhe Transfereve njofton se ka ndarë 500 mijë euro për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.

Sipas MFT-së, kjo ndarje është për ta ndihmuar këtë pjesë nga pandemia e COVID-19.

“Duke pasur parasysh gjendjen e rënduar të shkaktuar nga pandemia COVID-19, Ministria e Financave dhe Transfereve në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e ndihmës financiare në shumën prej 500 mijë euro për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, thuhet në njoftimin e MFT-së, përcjell Telegrafi.

Ministria tregon se kjo është realizuar si transfer ndërkombëtare nga llogaria e Thesarit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Lexo po ashtu Qeveria në detyrë ndan 500 mijë euro për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, për t'u përballur me COVID-19

“Kjo shumë është ndarë për arsye se Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për obligimin që ka për popullatën shqiptare e cila jeton në këto treva. Në këtë frymë, Qeveria është treguar e gatshme t’iu dalë në ndihmë këtyre komunave me shumat përkatëse si: për Komunën e Preshevës – dyqind mijë euro (200,000.00 €); për Komunën e Bujanocit – dyqind mijë euro (200,000.00 €); dhe për komunën e Medvegjës – njëqind mijë euro (100,000.00 €). Gjithashtu, Ministria e Financave dhe Transfereve njofton se me datën 27 prill, Thesari i Kosovës ka realizuar pagesat, përkatësisht donacionet, për të tri komunat. Sipas procedurave të zakonshme bankare, këto pagesa janë realizuar si transfere ndërkombëtare nga llogaria e Thesarit në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version