Telegrafi

Kosova mund të jetë shënjestër e sulmeve terroriste

Kosova ka rritur masat e sigurisë në të gjitha rajonet e Kosovës, pas sulmeve terroriste në Bruksel, me qëllim të parandalimit të incidenteve të mundshme, thonë zyrtarë të policisë. Policia dhe institucionet e tjera të sigurisë bëjnë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit, përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi.

“Tash për tash nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në Kosovë, mirëpo as Kosova nuk mund të jetë imune ndaj këtij fenomeni, sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluara në rajon e më gjerë”, thuhet në një deklaratë të policisë së Kosovës.

Kosova ka kohë që është rreshtuar përkrah aleancës globale në luftë kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me organet e rendit sepse, vetëm kështu, mund të shtohet siguria në vend dhe parandalohen incidentet e mundshme.

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës i është bashkuar organizatave të shpallura terroriste që luftojnë në Lindjen e Mesme. Numri i tyre sipas policisë është diku rreth 300 persona.

Burim Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë, mendon se Kosova, njësoj si vendet e rajonit, është në një shkallë më të ulët të rrezikut nga sulmet terroriste, nëse e krahasojmë me vendet kryesore evropiane.

“Por, rreziku mbetet kryesisht në bazë të numrit tejet të madh të qytetarëve të Kosovës që i janë bashkëngjitur organizatave terroriste. Në fakt, Kosova dhe Ballkani mund të bëhet shënjestër e sulmeve terroriste në periudhën kur sulmet e tilla në vendet evropiane pamundësohen. Në atë kohë, sigurisht se organizatat terroriste do të tentojnë të japin mesazhe të prezencës së tyre në Kosovë dhe në Ballkan”, thotë Ramadani.

Sipas tij, Kosova duhet të ngrejë një qendër “fuzionuese” që shpërndan informacionet në kohë reale.

“Kosova duhet të fuqizojë ndjeshëm inteligjencën dhe institucionet e sigurisë. Duhet të vendos mekanizma të përhershëm, sikurse edhe të përmirësojë shkëmbimin e informacioneve midis sektorit të sigurisë. Po ashtu, duhet të përmirësojë kontrollin e kufijve dhe të trajtojë në mënyrë strategjike deradikalizimin në tërësi”, thotë Burim Ramadani.

Kosova ka kohë që i është bashkuar aleancës globale kundër terrorizmit dhe radikalizmit. Hapat konkret që janë ndërmarrë, janë: Ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës; hartimi i strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që rezulton në terrorizëm e që udhëhiqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës; si dhe përkrahja e plotë e ofruar për mekanizmat e rendit dhe drejtësisë që të kryejnë detyrat e tyre në këtë drejtim.

Megjithëkëtë, Kosova vazhdon të renditet ndër vendet me pjesëmarrje shumë të lartë të qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e Mesme përkrah organizatave tashmë të shpallura terroriste nga OKB, si janë ISIS dhe Al-Nusra. /DW/