Telegrafi

Kosova mposhtet me rezultat të thellë nga Greqia

Përfaqësuesja e femrave të Kosovës ka humbur nga ajo e Greqisë me rezultat të thellë 6-0.

Ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror për femra “Franca 2019” nuk janë duke i ecur mirë ekipit përfaqësues të Kosovës.

Pas humbjes në ndeshjen e parë nga Shqipëria me rezultat 3-2, tani Kosova ka humbur edhe nga Greqia, por kësaj radhe me rezultat të thellë 6-0.

Vajzat e Greqisë ishin gjatë gjithë ndeshjes më dominuese, duke arritur që gjysmën e punës të kryejnë në pjesën e parë me dy gola të shënuara.

Lexo po ashtu Shqipëria triumfon në sekondën e fundit kundër Kosovës (Video)

Fillimisht ishte Eleni Markou, e cila shënoi në minutën e 33 për 1-0, ndërsa pas gjashtë minutave shënoi edhe Natalia Chatzigiannidou, e cila dërgoi skuadrat në pushim me rezultatin 2-0.

Kur pritej që në pjesën e dytë Kosova të kthehej, kjo nuk ndodhi, pasi në këtë pjesë pësuan edhe tri gola të tjerë, me Eleni Kakambouki  që shënoi në minutën e 51 për 3-0, ndërsa Sofia Nati (57, 76’) thelloi epërsinë në 5-0.

Goli i gjashtë u shënua në minutën e 82 nga Danai-Eleni Sidira, e cila vulosi rezultatin përfundimtar dhe turpërimin 6-0 të Kosovës nga Greqia.

Pas kësaj humbje, Kosova ka ende zero pikë dhe gjendet e fundit në Grupin B, ndërsa Greqia renditet e para me gjashtë pikë të tubuara. /Telegrafi/