Telegrafi

Kosova mposhtet nga Irlanda

Kombëtarja e Kosovës U17 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të turneut ndërkombëtar që po mbahet në Castlebar të Irlandës në organizim të UEFA-s.

Të përzgjedhurit e Besnik Kollarit pas fitores në ndeshjen e parë kundër Danimarkës, sonte kanë pësuar humbje nga skuadra nikoqire, Irlanda, me rezultat 1:2.

Ishte kjo një ndeshje jashtëzakonisht e mirë e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës U-17 kundër Republikës së Irlandës, por jo gjithmonë fiton më i miri. Djemtë e Kosovës luajtën më mirë e qarkulluan topin më mirë dhe bashkëvepruan shumë bukur, por pjesa e parë u përmbyllë me rezultat të barabartë pa gola.

Pjesa e dytë sërish nisi me lojë të bukur nga futbollistët e Kosovës, ku krijuan aksione të mira dhe të rrjedhshme dhe si rezultat i kësaj Kosova kaloi në epërsi në minutën e 45-të ndeshjes (ndeshjet luhen 2 herë nga 40 minuta), përmes Albin Prapashticës.

Irlandezët më kot përpiqeshin të barazojnë rezultatin, por për ndryshim të rrjedhës u përkujdes gjyqtari Campbell, i cili në minutën e 50-të akordoi penallti të paqenë dhe nga pika e bardhë ishte i saktë Parrot dhe rezultati barazohet në 1:1.

Në vazhdim futbollistët e Kosovës krijuan disa raste shënimi dhe irlandezët nuk po gjenin rrugën drejt portës, sepse mbrojtja e Kosovës ishte kështjellë, por sërish gjyqtari u kujdes që të përjashtojë nga 8 minuta dy lojtarë të Kosovës dhe kështu në minutën e 73-të bie goli i epërsisë kur shënoi zëvendësuesi Kennedy.

Me këtë rezultat edhe u mbyllë ndeshja dhe lirisht mund të thuhet se humbjes së Kosovës në masë të madhe i ndihmoi gjyqtari Campbell. Kosova më 25 maj ballafaqohet në ndeshjen e fundit me Irlandën Veriore.