Site icon Telegrafi

Kosova mposhtet nga Gana pas penalltive

Përfaqësuesja jonë që në start të ndeshjes u gjend në disavantazh. Sulmuesi Assifuah e shfrytëzoi mirë gabimin e mbrojtës kosovare dhe shënoi për ta zhbllokuar rezultatin.

Pak më vonë, pas një aksioni të bukur të kosovarëve, Vedat Muriqi i barazoi shifrat me një gol të bukur. Ndërsa, heroi i kësaj ndeshje padyshim se ishte portieri jonë, Altik Muhaxhiri, i cili në çastet e fundit të pjesës së parë e mbrojti një penallti të kundërshtarëve. 

Në pjesën e dytë përfaqësuesja jonë e nisi ndeshjen më mirë duke e kontrolluar tempon e lojës, por në mënyrë befasuese pësuan një gol nga goditja këndore. Realizuesi i këtij goli ishte Addico Princebell.

Por, nuk deshi shumë kohë që përfaqësuesja jonë ta barazonte rezultatin. Pas pasimit të bukur të Milot Rashicës, përball golit u gjend i posainkuadruari Musaj, i cili qëlloi fuqishëm për ta dërguar topin në rrjetë.

Me këtë rezultat përfundoi koha e rregullt e këtij takimi. Në penalltitë e ekzekutuara ganezët i qëlluan që të pestat, ndërsa për kosovarët Vedat Muriqi e humbi penalltinë e fundit dhe kështu nuk arritën të kualifikoheshin në finale.

Gana tani do të takohet në finale të kësaj gare me Brazilin, ndërsa Kosova do të ndeshet me Egjiptin për vendin e tretë. /Telegrafi/ 

Exit mobile version