Site icon Telegrafi

Kosova mposht Gjibraltarin, gati për Malin e Zi

(Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

Kosova ka arritur që ta mposhtur Gjibraltarin me rezultat 1-0, në ndeshjen testuese para asaj vendimtare me Malin e Zi.

Trajneri Bernard Challandes, në këtë ndeshje provoi  lojtarët që kishin më pak minuta në ndeshjet kualifikuese.

Për këtë arsye ai i kishte pushuar pesë lojtarë, duke mos i ftuar fare, si Milot Rashica, Vedat Muriqi, Herolind Shala, Amir Rrahmani dhe Bersant Celina.

Ndeshja nisi mirë për skuadrën tonë, që kishte posedimin e topin.

Zhvillohej minuta e 13-të kur Bernard Berisha depërtoi bukur nga krahu i majtë dhe harkoi mirë në zonë, mirëpo Florent Muslija e dërgoi topin mbi portë.

Pas disa minutash Bernard Berisha kishte rast ideal, por që goditja e tij ishte e plogësht.

Mysafirët tentuan dy herë në këtë kohë, por që goditjet e tyre ishin të dobëta dhe Samir Ujkani i priti pa problem.

Pjesa e parë nuk solli shumë gjëra tjera dhe u mbyll pa gola.

Në pjesën e dytë Challandes bëri katër zëvendësime, duke i futur në lojë Florent Hasanin, Elbasan Rashanin, Lirim Kastratin dhe Leart Paqaradën.

Kosova vazhdoi me raste duke i shpeshtuar në pjesën e dytë.

Arbenit Xhemaili gjuajti në minutën e 59- të, por jashtë portës, ndërsa pas tij edhe Valon Berisha nuk ishte i saktë.

Goli sillej rrotull dhe erdhi në minutën e 69-të. Pas një harkimi të ulët në zonë, Florent Hasani goditi fuqishëm dhe topi u devijua nga Atdhe Nuhiu për të përfunduar në rrjetë (1-0).

(Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

Pas golit sikur Kosova e kërkoi golin, por me ritëm më të ulët, duke krijuar vetëm gjysmë raste.

Fitore e rëndësishme e Kosovës, para përballjes me Malin e Zi, ku motivi i lojtarëve mbetet i lartë. /Telegrafi/  

https://www.youtube.com/watch?v=ocqx0_ZFkPM

Exit mobile version