Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të zbatuar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian kundër zyrtarëve të lartë kinezë për shkelje të të drejtave të ujgurëve në provincën Xinjang.
“Sugjerimi bazohet në shkelje të rënda të të drejtave etnike të minoriteteve etnike dhe religjioze në Xingjang duke përfshirë ndalime masive dhe abuzime të rënda fizike kundër ujgurëve, dhe pakicave tjera etnike dhe fetare në rajon”, tha ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.
“Si shprehje e shqetësimeve të thella nga Republika e Kosovës ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në Xinjang, masat e rekomanduara ndër të tjera demonstrojnë angazhimin e Republikës së Kosovës për të kërkuar përgjegjësi ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në botë”, shtoi Gërvalla njofton Telegrafi.
Vendimi i qeverisë parashikon ndalimin e udhëtimit në Republikën e Kosovës të katër zyrtarëve kinez si dhe bllokimin e pasurive të tyre në Kosovë.
Ministrja e jashtme Donika Gërvalla thotë se një vendim i tillë do ta forconte aleancën me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian./Telegrafi/