Site icon Telegrafi

Kosova merr pjesë në Ushtrimin Fushor Rajonal IPA FLOODS– CRO 2016

Në kuadër të programit IPA vërshimet (IPA Flood) të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ekipi kombëtar i kërkim-shpëtimit në ujërat sipërfaqësor, sot është nisur për në Kroaci për të marrë pjesë në një ushtrim fushor ndërkombëtar. Ushtrimi do të zhvillohet nga 17 deri më 21 tetor 2016 në Zagreb, në Republikën e Kroacisë.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se ekipi kombëtar i Kosovës përbëhet nga 11 pjesëtarë të trajnuar dhe të pajisur me pajisje moderne për kërkim shpëtim në ujëra sipërfaqësor, pajisje këto të dhuruara nga IPA flood (Ipa vërshimet).

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla dëshmon ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Fadil Kodra, vlerësoi pjesëmarrjen e ekipit kosovar, duke dëshmuar edhe një herë përpjekjet që po bëhen në mënyrë që edhe ekipet emergjente të Kosovës të trajtohet njëjtë si ekipet tjera evropiane.

“Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë rreth treqind persona, duke përfshirë profesionistët e mbrojtjes civile dhe autoriteteve përkatëse, organizohet nën kujdesin e  Drejtorisë Kombëtare të Mbrojtjes dhe Shpëtimit (PKKZH) të Autoritetit  për Menaxhimin e Fatkeqësive të Kroacisë. IPA FLOODS-CRO 2016 do të testojë funksionalitetin dhe ndërveprimin shumëkombësh të  Moduleve (ekipeve) të Mbrojtjes  Civile Mbrojtjes, të llojit të Shpëtimit në vërshime, dhe  përdorimin e  barkave. Ekipet kombëtare nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, që do të jenë të përfshira në ushtrimin e simuluar dhe do të mbështeten prej ekipeve teknike  nga Republika e Italisë nga Republika Çeke”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version