Site icon Telegrafi

Kosova merr pjesë në Këshillin për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale

Me datë 8 tetor në Bruksel Drejtorja e Departamentit të Tregtisë, Sytrime Dervisholli, në cilësinë e anëtares së ekipit negociator të Kosovës mori pjesë në takimin e parë të organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), ku vendet e Ballkanit Perëndimor hapën negociatat për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve dhe inxhinierëve civil.

Rezultati i pritur nga negociatat përfshin një Marrëveshje Reciproke të Njohjes, e cila do të vendosë rregulla të përbashkëta në njohjen e kualifikimeve profesionale të aplikantëve të cilët zotërojnë një diplomë nga secili prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke iu mundësuar atyre qasje për të ushtruar profesionin në një tjetër ekonomi.

“Negociatat dhe Marrëveshja e pritur mbi njohjen reciproke të kualifikimeve është pjesë e Planit shumë-vjeçar të Veprimit në Zonën Ekonomike Rajonale (MAP/REA) të arritur nga Kryeministrat e rajonit vitin e kaluar në Trieste”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Draftmarrëveshja mbi Njohjen Reciproke të Kualifikimeve në Mjekësi, Stomatologji, Arkitekturë dhe Inxhinieri Civile është e bazuar në Direktivën e BE-së 2005/36/EC mbi njohjen e kualifikimeve profesionale dhe kjo do të kontribuojë në përgatitjen për pranimin në BE. /Telegrafi/

Exit mobile version