Site icon Telegrafi

Kosova, më pranë Këshillit të Evropës

Plot gjashtë muaj më parë, Shqipëria mbajti në duart e saj çelësin e presidencës së radhës së Këshillit të Evropës, akt i cili ndodhte pas gati 17 vitesh anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme pan-evropiane. Ky proces u cilësua me të drejtë si një moment historik për Shqipërinë, për t’i dhënë vendit tonë mundësinë e madhe për të kontribuar në shtimin dhe forcimin e vlerave evropiane. Plus kësaj, kjo ngjarje ndodhi në një vit jubilar dhe me shumë peshë për historinë kombëtare: 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Që në fillim të marrjes së presidencës, Shqipëria shprehu qartë dhe filloi fuqishëm të tregojë vullneti e saj në drejtim të promovimit të vlerave themelore dhe në atë të realizimit të prioriteteve kryesore të veprimtarisë së Këshillit të Evropës.

Shqipëria u paraqit në Këshillin e Evropës me një agjendë të hartuar me kujdes, me prioritete dhe objektiva të përcaktuara mirë për gjashtëmujorin e presidencës së saj. “Të jetojmë së bashku – të harmonizojmë diversitetin dhe lirinë në Evropën e shekullit të 21-të”, kjo ishte motoja e punës së Shqipërisë gjatë muajve të presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës.

Gjatë kësaj periudhe u shfaq angazhimi maksimal për të qenë mbështetëse e plotë e përpjekjeve të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Personave të Shquar si dhe punën e kryesive paraardhëse për vënien në jetë të disa prej rekomandimeve të rëndësishme të raportit, si: roli i dialogut kulturor, edukimit dhe rinisë, promovimi i dimensionit fetar dhe dialogut ndërkulturor parandalimi i krimeve kundër njerëzimit dhe transmetimi i memories së Holokaustit; të mbështetim aspiratat demokratike dhe lëvizjet popullore në vendet e Afrikës së Veriut dhe të Mesdheut, duke fuqizuar dialogun dhe bashkëpunimin e organizatës me to.

Me dorëzimin drejt Andorës të Presidencës së radhës të kryesimit të Këshillit të Evropës, Shqipëria sapo përmbylli një kapitull të rëndësishëm të angazhimit të saj në drejtimin e organizatave ndërkombëtare. Ky kryesim është cilësuar i suksesshëm për faktin se Shqipëria tregoi se di jo vetëm të kryesojë organizata të nivelit të lartë, por edhe të përçojë me sukses ato që konsiderohen si vlerat më të qenësishme dhe të arrira të shqiptarëve, si toleranca fetare e dialogu ndërkulturor.

Duke analizuar gjashtëmujorin e kryesimit të Presidencës së Këshillit të Evropës, nuk mund të mos vlerësosh dhe marrësh në konsideratë kushtimin e vëmendjes së veçantë mbi nxitjen e bashkëpunimit rajonal përgjatë aktiviteteve të zhvilluara nga Shqipëria në kryesimin e kësaj presidence. E gjithë kjo mbështetur në parimet bazë të politikës së jashtme që Shqipëria ndjek dhe zbaton. Tashmë vendi ynë është i njohur për një rol stabilizues dhe moderues në rajon, duke vazhduar të mbetet e angazhuar për të realizuar akoma më tej integrimin në shkallë më të gjerë mes vendeve të rajonit me synimin e madh atë të integrimit evropian.

Që në çastin e parë të marrjes së kësaj presidence, Shqipëria do t’i kushtonte një rëndësi të veçantë rolit të KE-së në rajonin e Ballkanit. Për Shqipërinë merrte peshë përfshirja e Këshillit të Evropës në Kosovë, i cili përmes mekanizmave të tij ndikon fuqimisht në drejtim të promovimit të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor, me një synim të dukshëm për t’u ofruar të gjithë qytetarëve që jetojnë aty, një perspektivë të qartë evropiane. Duke mbetur në këtë kontekst, Presidenca shqiptare ka theksuar se Kosova duhet të jetë një zonë multietnike dhe e sigurt për të gjithë qytetarët e saj, ku standardet e KE-së duhet të forcohen vazhdimisht dhe ku instrumentet kyçe evropiane duhet të zbatohen plotësisht së bashku me mekanizmat e kontrollit.

Shqipëria në pozicionin e saj kërkoi një anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në KE, si një mundësi për një përqafim më të shpejtë të të gjitha vlerave evropiane në konsolidimin e këtij shteti të ri, në drejtim të legjislacionit, të gjithë korpusit legjislativ të Kosovës në përputhje të plotë me standardet evropiane, adaptimin në legjislacionin e saj të të gjitha Konventave të Këshillit të Evropës, sidomos ato që kanë të bëjnë me institucionet demokratike, minoritetet dhe bashkëjetesën. Përmes anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, qytetarët e këtij shteti do të përfitonin maksimalisht nga KE-ja dhe do të hynin në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Pavarësisht mendimeve të ndryshme për statusin e Kosovës dhe duke pasur parasysh qëndrimet neutrale për Kosovën, Presidenca shqiptare kërkoi një përfshirje më të madhe të KE-së në Kosovë, duke mbështetur Rekomandimin pragmatik 1739 (2010) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me qëllim promovimin e kontakteve të drejtpërdrejta e të rëndësishme ndërmjet stafit të këtij organizmi dhe autoriteteve kosovare në të gjitha nivelet.

Një ndër motivet për të rritur peshën e veprimit të Këshillit të Evropës është edhe vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për t’i dhënë fund pavarësisë së saj të mbikëqyrur, duke shënuar kështu një faqe të re në historinë e Kosovës, atë të funksionimit të saj si shtet plotësisht sovran dhe i pavarur.
Përgjatë kësaj periudhe të kryesimit shqiptar të Presidencës, Kosova ka qenë e pranishme në të gjitha aktivitetet e organizuara, duke rritur kështu në mënyrë të ndjeshme jo vetëm përfaqësimin e saj, por edhe duke i dhënë mundësinë të shprehet për tematika të caktuara të cilat kanë qenë në fokus të diskutimeve dhe debateve të tyre.

Nga moria e aktiviteteve të zhvilluara në vendin tonë në kuadër të kryesimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, do të veçoja atë të organizuar me “Kampin Rinor të Paqes”, i cili mbahej për herë të parë në Shqipëri. Në “Kampin rinor të paqes” morën pjesë dhjetëra të rinj nga vende të ndryshme të rajonit me qëllimin e nxitjes së dialogut rinor dhe bashkëpunimit, në mbështetje të paqes, tolerancës dhe mirëkuptimit, si vlera universale të njerëzimit.

Përveç të rinjve nga Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria, të pranishëm ishin dhe të rinjtë nga Kosova, duke iu dhënë kështu një mundësi të rinjve për të ndarë, eksploruar dhe reflektuar mbi punën e tyre në fushën e dialogut, transformimit të konfliktit dhe paqes. Të rinjtë janë gjenerata të cilët duhet të përqafojmë vlerat universale të bashkëjetesës, në harmoni dhe mirëkuptim të plotë, për të patur një të ardhmen jashtë konflikteve dhe tensioneve që rajoni i Ballkanit historikisht ka prodhuar dhe ende për fat të keq i prodhon ende dhe sot.

Një ndër arritjet e presidencës shqiptare është takimi i parë i realizuar mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, z. Thorbjorn Jagland, gjatë zhvillimit të punimeve të Asamblesë së OKB-së në Nju Jork në shtator të këtij viti, takim ky i cili njohu kërkesën e drejtpërdrejtë të Presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës.

Sekretari i Përgjithshëm Jagland, gjatë vizitës së tij në Tiranë – pak ditë pas marrjes së presidencës nga Shqipëria – do të vlerësonte agjendën ambicioze dhe të pasur të Shqipërisë dhe në veçanti promovimin e raportit “Të jetojmë së bashku”, si dhe dialogun me rajonet fqinje të Evropës, ku sipas tij, Shqipëria ka mjaft për të ofruar nga eksperienca e saj. Duke iu referuar çështjes së Kosovës, ai theksoi se anëtarësimi i saj varet nga vullneti i shteteve anëtare, por vlerësoi si mjaft të rëndësishëm faktin se KE duhet të krijojë një platformë të qartë për forcimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve në Kosovë, pavarësisht konsideratave të ndryshme për statusin e saj.

Gjatë kësaj periudhe është mundësuar zbatimi i një sërë projektesh të përbashkëta të Këshillit të Evropës dhe BE në Kosovë me objektiv zbatimin e standardeve dhe vlerave të KE-së të cilat lidhen me demokratizimin e jetës në vend e deri në forcimin e shtetit të së drejtës.

Tashmë është një realitet i pamohueshëm që Kosova në mënyrë të vazhdueshme po tregon angazhimin e saj për forcimin e pavarësisë, sovranitetit dhe patjetërsueshmërinë e kufijve territorial. Ngritja dhe funksionimi i institucioneve demokratike me llojshmëri etnike është një dëshmi e qartë se Kosova është kundër reminishencave të së kaluarës dhe punon fuqishëm për ndërtimin e së ardhmes evropiane për çdo qytetar të saj. Pas gjashtë muaj të kryesimit të Presidencës së Këshillit të Evropës, me përkushtimin e saj Shqipëria ka arritur të përmbushë një nga synimet dhe objektivat e saj, atë të përafrimit në mënyrën më maksimale të mundshme të Kosovës drejt Këshillit të Evropës.

Pas asnjë ngurrim mund të pohojmë se sot Kosova është akoma më pranë tij, Kosova është futur në rrugën e tij, për të përmbyllur në një realitet sa më të afërt objektivin madhor, atë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Në këtë drejtim është i pamohueshëm, por i vlerësueshëm roli dhe kontributi i Shqipërisë gjatë drejtimit të Presidencës së Këshillit të Evropës. Në fund të këtij shkrimi dua të theksoj dhe një herë që qëndrimi shqiptar gjatë periudhës së kryesimit të presidencës së Këshillit të Evropës për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ishte tejet i qartë: anëtarësim i shpejtë i Kosovës në këtë organizëm që ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol shumë të fuqishëm dhe rajonin e Ballkanit.

(Autori është këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë)
 

Exit mobile version