Site icon Telegrafi

Kosova me medalje në Kampionatin Evropian për karateistë deri 21-vjeç

Kosova ka fituar medalje në këtë ngjarje, që është medalja e parë evropiane prej pranimit në asociacionet ndërkombëtare të këtij sporti luftarak. Orges Arifi, në kategorinë deri në 60 kilogramë, në grupmoshën U-21, fitoi medaljen e bronztë, të dielën.

Kosova pati edhe një vend të pestë, tri vende të shtata dhe një vend të nëntë. Mori pjesë me 12 garues, shkruan sot Koha Ditore.

Arifi në luftën e parë fitoi ndaj hungarezit Balint Ardai me rezultatin 4:3. Më pas mposhti grekun Mihail Relias me rezultatin 2:0. Në luftën e tretë fitoi 2:1 ndaj Martin Stojmenovit të Maqedonisë. Humbjen e pësoi në luftën e katërt, përkatësisht në gjysmëfinale, nga spanjolli Angel Cisneros Medina, ndonëse ishte duke udhëhequr bindshëm. Te medalja e bronztë arriti falë fitores në repesazh ndaj gjermanit David Kuhn me rezultatin 2:1.

"Ishte ditë e veçantë për ne. Një vend i tretë, një vend i pestë, tri vende të shtata dhe një vend i nëntë, japin një rezultat që është për t’u shënuar. Orges Arifi, në gjysmëfinale, ishte duke udhëhequr 4:1, por e diskualifikuan për shkak të dënimit me vërejtje dhe kështu ia dhuruan spanjollit fitoren. Në luftë për medalje e mposhti bindshëm kampionin gjerman", ka treguar kryetari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Fadil Arifi. 

Exit mobile version