Telegrafi

Kosova me masa reciproke në CEFTA?

Mosrespektimi i marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, duke bllokuar eksportin dhe transportin e mallrave të Kosovës në këto dy vende, i ka kushtuar mjaft Kosovës dhe është koha e fundit që Kosova të marrë masa në këtë drejtim, vlerësojnë ekspertët për çështje të ekonomisë.

Musa Limani, drejtues i Institutit Ekonomik të Kosovës, thotë se bllokimi i Kosovës nga ana e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës në tregun e CEFTA-s vazhdon të bëhet për shkaqe politike, edhe pse Kosova është anëtare e barabartë në këtë marrëveshje.

“Për arsye politike, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, gjithnjë na kanë bërë probleme. Do të thotë, Serbia ka penguar jo vetëm pasimin e mallrave në tregun e CEFTA-s, por edhe transitin e mallrave nëpër Serbi dhe Bosnjë. Kjo e ka dëmtuar shumë qarkullimin dhe pasimin e mallrave të Kosovës në CEFTA, për arsye se ata nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe me vulën e Kosovës nuk i pranojnë mallrat. Ata kërkojnë vulën e UNMIK-ut”, thotë Limani.

Ndërkaq, Fisnik Reçica, ekspert për çështje të ekonomisë në Institutin Riinvest, vlerëson se dëmet nga bllokimi i Kosovës në tregun e CEFTA-s kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Ai thotë se si pasojë e këtij bllokimi, hapësira e eksporteve është ngushtuar edhe më shumë për eksportet e Kosovës, të cilat edhe ashtu kanë qenë në masë të vogël.

“Firmat tona nuk kanë mundur t’i plasojnë produktet e veta në tregun evropian, përmes kanaleve të këtyre dy shteteve. Gjithashtu, nuk kanë mundur t’i plasojnë as në këto dy shtete. Por, dëmi më i madh, mendoj se ka qenë për shkak se produktet tona nuk kanë mundur të kalojnë përmes këtyre dy shteteve, gjë që e rrit koston e produkteve dhe koston e eksportit, si dhe i bën produktet tona shumë më pak konkurrente në tregun evropian”, vlerëson Reçica.

Ndryshe, CEFTA, gjatë këtij viti kryesohet nga Kosova. Të dy këta ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se Kosova duhet të bisedojë me anëtarët tjerë të CEFTA-s për të gjetur mundësinë e heqjes së bllokadës nga ana e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Limani thotë se Kosovës nuk i ka mbetur shtegdalje tjetër përveç aplikimit të masave të reciprocitetit për të dy vendet që po e bllokojnë atë në tregun CEFTA-s. /Rel/Telegrafi/