Njëra nga çështjet më të rëndësishme për një vend në epikën e globalizmit është imazhi që ka shteti në arenën ndërkombëtar. Madje, kjo çështje vlen edhe për vendet më me ndikim në botë.
Tani kur ka nevojë për një imazh të mirë, ta zëmë një vend si SHBA – që është edhe vendi më i fuqishëm dhe më me ndikim në botë – sa është e rëndësishme kjo për një shtet të ri i cili akoma nuk e ka bërë një dekadë të funksionimit si shtet i pavarur?
Imazhi me fjalë tjera do të thotë përshtypja e tjerëve për ty, e qe në ketë rast vlen: përshtypja e qytetarëve dhe qarqeve diplomatike të vendeve të ndryshme për Republikën e Kosovës. E, meqenëse kjo na qenka punë goxha me rendësi, atëherë shtrohet pyetja se kush deri me sot është marrë me ketë punë?
Ndoshta të merr disa sekonda, por jo edhe një minutë të plotë t’i japësh përgjigje kujtdo që ta bënë ketë pyetje. Pra, thjeshtë çoje mendjen nga kreu i shtetit, pastaj Qeveria dhe institucionet tjera relevante dhe varësisht nga personi që jep përgjigje dhe shpejtësia e tij apo saj në të menduar, përgjigja vjen vet prej njëzet deri në dyzetepesë sekonda. Pra, asnjëri nga institucionet e shtetit të ri nuk ka punuar që Kosova të ketë imazh të mirë. E, kur mendon se nuk ka punuar kush mirë nga këta persona qe në vend njihen si “bosat me xhipa të zi”, qe të mund t’ju thuhet puna e mbarë, kjo është vërtet shqetësuese.
Mirëpo, çka mund të thuhet kur i shtohet fakti se shumë nga institucionet e vendit, madje edhe vet shefat e këtyre institucioneve jo se vetëm nuk punuan mbarë, por jo pak nga ta bënë edhe punë të pista dhe vepruan tërësisht kundër ligjit dhe drejtësisë.
Viti 2014 ishte një vit përplot me ngjarje për vendin, por duke veçuar disa nga to mund të dalim tek imazhi i vërtetë i Kosovës në mediat dhe qarqet ndërkombëtare.
Fillimisht drejtësia, si një nga sektorët më të dobët që funksionon, dha disa dënime ku zyrtarët ndryshëm qeveritarë dhe komunalë u vunë ose pas grilave ose nën hetime, por ndodhi që këta persona t’i udhëheqin institucionet të dënuar ose duke u gjykuar nga burgu. He, çudia më e madhe tek ne zgjatë tri ditë thoshte populli, dhe kjo tani edhe po shihet.
Duke pasur probleme me drejtësinë, shumë nga ta edhe fitojnë në zgjedhjet e mbajtura elektorale, madje dalin edhe më të fuqishëm. Kjo pra është një pikë në imazhin e shtetit të ri. Partia që qeverisi për dy mandate dhe e cila parti kryeson në listat e shkelësve të ligjit, arriti sërish të dalë e para pas zgjedhjeve të mbajtura në mes të viti që po lëmë pas!
Ka disa vite që thuhet, madje edhe nga zëra të fuqishëm ndërkombëtar, se Kosova është rast “Sui Generis”. Pra, kur bëhet fjalë për precedentin që mund të shkaktojë Kosova në vende të ndryshme të botës. Por, kjo në fakt po del të jetë e vërtet edhe në shumë aspekte tjera.
Pas përfundimit të zgjedhjeve, u bashkuan partitë: e dyta, e treta, e katërta dhe e pesta, duke e pamundësuar formimin e institucioneve. Nëse në demokraci vendos shumica, këto parti krijuan shumicën bindëse ne Kuvendin e Republikës, sidomos kur dihet se minoritetet i bashkohen koalicionit të shumicës, prandaj edhe arritën ta kenë shumicën absolute në Kuvend. Mirëpo, partia e parë që kishte vetëm 36 ulëse, e quante vetën shumicë ndërsa koalicionin prej mbi 80 deputetëve e quante opozitë! E kjo pra është demokracia dhe kështu kaloi mbi gjysmë viti, ku Qeveria në detyrë nënshkroi marrëveshje dhe kontrata sikur të ishte qeveri e dalë nga votat e qytetarëve. Sa për ilustrim: kontratën për autoudhën Prishtinë-Shkup.
Organi më i lartë për interpretimin e Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, rrëzojë zgjedhjen e Isa Mustafës për Kryetar të Kuvendit. Madje, përveç kësaj ajo i dha të drejtë ekskluzive të tallet me 120 deputetë, sa ka Kuvendi, një zonje që e udhëhiqte vetëm pse ishte më e moshuara. Kjo zonjë, Flora Brovina, nuk lejoi as mbajtjen e seancës parlamentare për disa kohë, kuptohet duke shkelur tmerrshëm ligjin, Kushtetutën, por edhe duke i shërbyer vendit qe sa më shumë t’ia nxijë imazhin edhe ashtu të dobët që ka.
Edhe ky është një shembull eklatant, që flet për demokracinë në vend, madje edhe për funksionimin e institucioneve të pavarura, që janë alfa dhe omega për demokracinë e një vendi.
Kosova sivjet ishte një vend dëshirash për dikë, iluzionesh, marifetesh, emigrimeve e shumë çka tjetër. Një politikan që nuk ka shifër dyshifrore nga zgjedhjet, me çdo kusht deshi të bëhej kryeministër, madje e prishi Bllokun e partive të koalicionit pas-zgjedhor. Presidentja e vendit, një person që kurrë as në ëndërr s’e kishte parë at post, jo se vetëm nuk din ta luajë rolin që ia jep Kushtetuta, por ajo u bë një zëdhënëse e fortë e partisë e cila me pazare të natës e kishte sjellë në atë karrige. Kësisoj, Atifete Jahjaga i shërbeu me shumë zell vendit për të keq. Ajo i priu bllokadës disamujore duke e bartur çështjen e saj tek Gjykata Kushtetuese dhe kreu i saj Enver Hasani, një person i dyshimtë për shkollimin e tij, por edhe për shkatërrimin e Universitetit të Prishtinës sa ishte rektor.
Nga ana tjetër, Hasani, edhe kur nuk kishte të drejtë të deklarohej për çështjet politike, lidhur me gjykatën e kapur nga një grup i caktuar i një partie politike dhe parapolitike, deklarohej dhe u bë njëfarë “babe” i cili i mësonte politikanët dhe deputetët se çka duheshin ndërmarrë… Ky pra është imazhi dhe këto janë të vërtetat e Kosovës gjatë vitit 2014.
Por, fundviti solli formimin e institucioneve, pasi që dy partitë më të mëdha u detyruan të bëjnë koalicion. Qeveria edhe ashtu e madhe me shumë ministri dhe zëvendësministra, u rrit dhe tani ka 20 ministri, e pritet që edhe nja dy autobusë militantë të bëhen zëvendësministra. S’ka lidhje edhe pse nuk janë profesionistë në asnjë fushë. Fundja edhe ministrat, disa prej tyre ashtu janë.
Episodet e këtij seriali vazhdojnë: Sindikatat e Bashkuara kërkojnë rritje pagash prej 25 për qind, ashtu siç u kishte premtuar Hashim Thaçi gjatë fushatës. Të ashtuquajtur veteranë të luftës, kërkojnë nga rektori që t’i regjistrojë me automatizëm njëmijë student, si fëmijë të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së. Mediat nxorën se disa nga ta ishin regjistruar edhe më herët si fëmijë dëshmorësh, por në fakt prindërit i kishin mirë dhe shëndosh.
Kështu pra po bëjnë njerëzit e Kosovës tonë. Pastaj, disa – dorën në zemër, më shumë nga zhgënjimi se sa nga varfëria – po ikin nëpër Serbi dhe po dalin ilegalisht nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
T’i përmbledhësh krejt bëmat e vitit është e pamundur, por ajo që i vë kapak për të keq është zgjedhja e njeriut të nëntokës në krye të Kuvendit të Kosovës, madje ajo më e pabesueshmja ndodhi, LDK e votoi këtë person?! Nga ana e tjetër partia e tretë për nga fuqia politike në vend, Vetëvendosje, vazhdon ta qeveris kryeqytetin në mënyrën e vet çegevarqe dhe këtij subjekti dhe kreut të Prishtinës, jo se nuk i bije në mend se Kosova ka një burrë që është më meritori për lirinë dhe formimin e shtetit, pra Ibrahim Rugova, por nuk e sheh të arsyeshme madje as statujën e tij në qendër të Prishtinës ta nderojë, thjeshtë për këta njerëz, Presidenti Rugova nuk paska ekzistuar kurrë.
Me një fjali të thjeshtë, kjo është Kosova jonë dhe ky është imazhi i vendit tim. Zoti na bëftë më të mirë, e pastaj e bëjmë edhe imazhin më të mirë.