Kosova ka zhvilluar stërvitjen e saj zyrtare në prag të ndeshjes së fundit të këtij edicioni në Ligën e Kombeve ndaj Lituanisë, që do të zhvillohet nesër (18 nëntor 2024), në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Atmosfera mes lojtarëve është tejet pozitive dhe motivimi për ta mbyllur këtë vit me një fitore përpara tifozëve dardanë është maksimal, shkruan FFK.
Në këtë sfidë, përzgjedhësi Franco Foda nuk do të mund të llogarisë në dy lojtarë të rëndësishëm të repartit të mbrojtjes, kapitenin Amir Rrahmani dhe Lumbardh Dellovën, të cilët janë të pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë.
Megjithatë, Foda ka siguruar se ekipi ka opsione të mjaftueshme për të mbushur boshllëkun dhe për të përballuar Lituaninë me sukses.
Kosova kërkon fitoren e katërt në fazën e grupeve, ndërsa pret edhe vendimin e UEFA-s për ndeshjen me Rumaninë. /Telegrafi/