Site icon Telegrafi

Kosova mbushet me mjete piroteknike për Vit të Ri

31 dhjetori i këtij viti do të shënohet me më shumë krisma se sa vitin e kaluar. Kjo pasi që në Kosovë deri më tani kanë hyrë rreth 110 mijë kilogramë mjete piroteknike, në vlerë prej 111 mijë euro.

Në anën tjetër vendosja e akcizës ndaj këtyre produkteve ka ndikuar që të rritet edhe kontrabanda, ku deri në këtë periudhë janë konfiskuar mbi 10 tonë barut. Kështu të paktën bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Shifrën për sasinë e fishekzjarrëve të importuara në Kosovë e ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Sipas tij, Kina është vendi i origjinës së mjeteve piroteknike që hyjnë në Kosovë. Duke folur për cilësinë e tyre, Stavileci thotë se baruti që importohet në Kosovë është i kontrolluar.

“Origjina e këtyre fishekzjarrëve kryesisht është nga Kina…Ky produkt realisht është një produkt mjaftë i kontrolluar gjatë procedurave të importit për arsye se kompania që dëshiron të importoj një produkt të tillë fillimisht duhet të marrë leje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj edhe përcjellja prej momentit të përfundimit të procedurave doganore deri në depon e kompanisë bëhet prapë me Policinë. Është një produkt i cili kontrollohet mjaftë mirë dhe nuk besoj që kemi pasur as incidente brenda në Kosovë me këtë produkt në aspektin e zhdoganimit”, u shpreh ai.

Ndërsa, shefi i divizionit për armë dhe municion, Destan Mustafa u shpreh se fishekzjarrët që përdoren në Kosovë u takojnë standardeve evropiane, përkatësisht markës CE.

Për deponim dhe mbrojtje të sigurt të mjeteve piroteknike, Ministria e Punëve të Brendshme i ka licencuar katër kompani të cilat edhe bëjnë importimin e tyre.

Mustafa ka theksuar se si pasojë e akcizës prej 2 euro për kilogram, është rritur edhe kontrabanda me këto produkte.

Sipas tij, deri në këtë periudhë të vitit janë konfiskuar mbi 10 tonë fishekzjarrë, kryesisht në pikën doganore në veri të Kosovës dhe në pikën doganore me Shqipërinë.

“Edhe këtë vit ne do të bashkëpunojmë me inspektoratet lokale të komunave, kryesisht për shitjet e pakontrolluara siç ndodh nëpër rrugë, nëpër sheshe….Më herët ka pasur shumë interesi edhe ka ende por edhe ka pasur shumë import më herët, por me rastin e aplikimit të një akcize nga Qeveria e Kosovës që është diku 2 euro në kilogram për fishekzjarrë, tani qe tri vite ka rënë importi shumë, mirëpo me këtë rast po na ndodh edhe një gjë tjetër në anën tjetër është rritur kontrabanda, ne sidomos muajin e fundit kemi vërejtur që ka një kontrabandë të shkuar të mjeteve piroteknike, dhe ka qe dy javë Policia e Kosovës, Doganat kanë konfiskuar mbi 10 tonë mjetet piroteknike të kontrabanduara …Me sa kam informata ka nga veriu , por ka më duket edhe në pikën me Shqipërinë“, ka shtuar ai.

Edhe në Policinë e Kosovës bëjnë të ditur se ka pasur tentime për kontrabandim, prandaj edhe policia kufitare kanë marrë detyra specifike për fundvit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani po ashtu ka thënë se për festat e fundvitit do të ketë shtim të prezencës policore në lokacione ku do të festohet.
“Policia e Kosovës sikurse çdo fund vit edhe këtë fund vit do përgatis me kohë planin operacional policor, i cili do të ketë qëllim primar ruajtjen e rendi dhe sigurisë publike, shtimin e prezencës policore për ambientet e ndryshme, në lokacionet ku pritet të ketë manifestime për festat e fund vitit në mënyrë që qytetarët të ndihen më të sigurt, dhe në mënyrë që Policia të veproj aty ku ka nevojë veprimi…Deri në këto momente ka pasur tentime të kontrabandimit të mallrave të ndryshme duke përfshirë edhe pjesën e kontrabandimit të fishekzjarrëve, dhe për këtë arsye njësit e policisë kufitare kanë marrë si detyrë specifike në pjesën e fund vitit, sepse e dimë që mund të ketë tentime të kontrabandimit”, ka shtuar ai.

Nga ky institucion i sigurisë bëjnë apel tek prindërit që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse.

Ndryshe, me qëllim të rritjes së sigurisë në qytet, komuna e Rahovecit, Suharekës, Drenasit, Vushtrrisë e kanë ndaluar përdorimin dhe shitjen e mjeteve piroteknike.

Me urdhëresë për ndalimi për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike në vendet e hapura publike, përkatësisht në tregje, rrugë dhe sheshe ka dal edhe komuna e Prishtinës. Madje shkelësit e kësaj urdhërese sipas njoftimit të kësaj komune do të gjobiten 100 euro.

Kujtojmë se me ligj lejohet përdorimi i mjeteve piroteknike, por që gjatë viti duhet të merret leje paraprake, kurse nga data 26 dhjetor deri më 2 janar, qytetarët nuk ka nevojë të aplikojnë për të marrë leje për përdorim të mjeteve piroteknike. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version