Ka ngjallur shumë shqetësime iniciativa për të amandamentuar Kushtetutën. Kompetencat e zgjeruara të Presidentit dhe zgjedhja e tij drejtpërdrejtë nga populli kanë arsyetuar disa zëra zhurmues të hamenden rreth kalimit në një sistem gjysmë presidencial.
E një ndihmesë edhe me të madhe këta zëra e marrin edhe nga vetë Kushtetuta aktuale e cila në nenin 4 duke përcaktuar formën e qeverisjes nuk merr guximin ta përcaktojë Kosovën Republikë Parlamentare, njëjtë siç e bënë për shembull Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë qysh në nenin 1. të saj “Shqipëria është Republikë Parlamentare”, por e lë Kosovën në një situatë që unë nuk hezitoj ta quaj interesante duke e definuar Kosovën si Republikë Demokratike.
Është e drejtë që mënyra e qeverisjes qoftë në sistemin presidencial, gjysmë presidencial dhe atë parlamentar të jetë demokratike, por forma e qeverisjes të jetë demokratike kjo është diçka që tingëllon sui generis. Shprehja famoze sui generis e cila aq sa na ka shërbyer për të argumentuar të drejtën për tu pavarësuar njëjtë do na shërbejë për të treguar irracionalitetin aktual juridik e kushtetues të vendit.
E lëmë gjithë këtë e kthehemi tek Republika. A po bëhemi Republikë gjysmë presidenciale? Jo!
Pse jo?! Për tu bërë Republikë gjysmë presidenciale duhet t’i ndërrojmë kompetencat e Kryeministrit me ato të Presidentit (aktual), edhe pse kompetencat e këtij të fundit janë paksa të zgjeruara.
Por qe të kemi një sistem gjysmë presidencial atëherë Kryeministri do duhej të jetë ai që do marrë kompetencat ceremoniale, duke i lënë hapësirë presidentit në kompetenca ekzekutive.
Shembull më të mirë për të pasqyruar sistemin gjysmë presidencial e kemi pa dyshim Francën. Për ta bërë edhe më të thjeshtë këtë atëherë që të kemi sistem gjysmë presidencial ta zëmë sikurse në Francë duhet që Kryeministri të caktohet nga Presidenti. Tani, termi “caktohet” duhet të shtjellohet jo si procedurë ceremoniale siç është në Kosovë me pikën 14. të nenit 84. ku kompetenca e Presidentit kufizohet në këtë mënyrë: cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit.
Pra përderisa në sistemin gjysmë presidencial Presidenti cakton Kryeministrin, në sistemin parlamentar Presidenti vetëm propozon para Kuvendit kandidatin i cili vjen nga partia apo edhe koalicioni fitues. Prapë Parlamenti është ai që ka kompetencë të zgjedhë Kryeministrin, i cili vjen nga propozimi i Presidentit por nuk caktohet nga Presidenti. Pra në sistemin parlamentar Presidenti obligohet të propozoj në Parlament kandidatin që fiton, duke mos pasur dorë në zgjedhjen e tij.
Argumenti pasues që e vendos Kosovën në Republikë Parlamentare është zgjedhja dhe mbikëqyrja e punës së Kryeministrit dhe kabinetit qeveritar nga Parlamenti. Kompetencë e cila nuk do t’i kalojë Presidentin as me ndryshimet kushtetuese, pasi që dihet se këto ndryshime do të prekin vetëm në mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe heqjen e të drejtës Kuvendit për të zgjedh Presidentin, por nuk do te ketë shtim kompetencash për Presidentin e ardhshëm.
Dhe në fund që opinioni të sqarohet në formën e qeverisjes, të shërbehemi me rastin e vendeve fqinjë si: Maqedonia, Sllovenia etj., që zgjedhin Presidentin nga populli drejtpërdrejtë, por ngelin Republika Parlamentare, pasi krahas Presidentit i cili detyrë kryesore ka përfaqësimin e unitetit të popullit, kanë një kryeministër me kompetenca të pastra ekzekutive, siç e ka edhe Kosova.
Mbase do ishte mirë që komisioni që do ndryshojë Kushtetutën të marrë kompetencë që përfundimisht në kuadër të këtyre ndryshimeve t’i mundësohej të sqarojë formën e qeverisjes duke përcaktuar përfundimisht dhe tekstualisht Kosovën si Republikë Parlamentare. Por nuk do mend se në rast të një ndryshimi të tillë do ta kemi prezencën e faktorit ndërkombëtar pasi duhet të ketë qenë ky faktorë që ka çuar në përcaktimin e tillë çfarë Kosova ka aktualisht.