Site icon Telegrafi

Kosova mbështet financiarisht Koalicionin global kundër ISIS-it

Ministri i Financave, Bedri Hamza, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit me të cilin shteti i Kosovës e mbështetë financiarisht Koalicionin Global Kundër ISIS.

Në njoftimin për media thuhet se ky memorandum përveç që implementon vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me nr. 14/09 të datës 20 tetor 2017, dëshmon edhe për marrëdhëniet e  shkëlqyeshme dhe bashkëpunimin e ngushtë në interesa strategjike të përbashkëta.

“Kosova përmes këtij memorandumi  është rreshtuar edhe financiarisht në përkrahje të Koalicionit Global Kunder ISIS, dhe do të jetë e gatshme që t’i përgjigjet edhe në forma tjera bashkëpunimit,  përfshire  rrugëve  të ofrimit të  ndihmës humanitare, ofrimin e ekspertëve për pastrimin e fushave nga mjetet e rrezikshme, ashtu siç është paraparë me vendimin e Qeverisë së datës 20 tetor 2017”, thuhet në njoftim.

Ministri Hamza u shpreh i kënaqur që Kosova ka arritur këtë fazë të zhvillimit që t’i ofrojë mbështetje financiare Koalicionit Global Kundër ISIS, dhe me këtë është rreshtuar krah shteteve mike që e kanë ndihmuar dhe po e ndihmojnë Kosovën.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie me këtë rast tha që është i kënaqur me faktin që Republika e Kosovës e riafirmoi angazhimin e saj në Koalicionin Global Kundër ISIS.

Ai shtoi që bashkëpunimi është kyç për luftimin e ekstremizmit. /Telegrafi/

Exit mobile version