Telegrafi

Kosova mban stërvitjen e fundit përballjen me Irlandën e Veriut, Amir Rrahmani nuk ia del dhe do të mungojë në këtë ndeshje

Kosova pasditen e sotme e ka mbajtur stërvitjen e fundit në Belfast para ndeshjes së nesërme kundër Irlandës së Veriut.

Atmosfera dhe motivi për fitore tek Dardanët është në nivel të lartë, por brengosëse për përzgjedhësin Aliain Giresse është konfirmimi i mungesës së kapitenit Amir Rrahmani për këtë duel.

Në fakt, përkundër dëshirës së madhe të futbollistit që të paraqitet në këtë ndeshje, pas testimeve në stërvitjen e sotme, u konstatua se paraqitja e tij në duelin me Irlandën e Veriut do të paraqiste rrezik për ndonjë lëndim më të madh për futbollistin.

Rrahmani do të vazhdojë të jetë nën përkujdesjen e stafit mjekësor dhe do të bëhet përpjekje që të riaftësohet për lojë për ndeshjen e dytë kundër Qipros.

Mbrojtësi i Napolit që nga dita e parë e grumbullimit me Kosovën ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër e ekipit, pasi në ndeshjen e fundit që skuadra e tij Napoli e zhvilloi me Milanin pësoi lëndim.

 


Përballja ndërmjet Irlandës së Veriut dhe Kosovës zhvillohet të shtunën prej orës 18:00 në Belfast. /Telegrafi/